English

Meta: 29 Nëntori ditë e madhërishme, historia nuk bëhet çdo 4 vjet

Tiranë, 29 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Janë dashur pak minuta vonesë, që Kryetari i opozitës Edi Rama të mos ndeshej me ish-aleatin e tij të ngushtë, kreun e LSI-së Ilir Meta në Varrezat e Dëshmorëve, ku Opozita e Bashkuar, LSI-ja e veteranët kremtuan me ceremoniale të veçanta, 67-vjetorin e Çlirimit të vendit.

E ndërsa i ndan politika e sotme dhe kalimi i Ilir Metës në koalicionin me mazhorancën e djathtë, duket se Edi Ramën dhe Ilir Metën i bashkon një pikë e fortë, besimi dhe nderimi i 29 Nëntorit, si Dita e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, një ditë që sipas Ramës dhe Metës nuk ndryshohet dot nga politika.

Edhe shefi i LSI-së dhe ish-numri dy i qeverisë Ilir Meta në krye të një përfaqësie të partisë së tij ka vendosur kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”.

Mandej zoti Meta ka sqaruar për mediat se pse dy ditët 28 dhe 29 Nëntori janë dy ditët më të rëndësishme në kalendarin e historisë sonë.

“29 Nëntori është ditë jashtëzakonisht e rëndësishme, që i ka dhënë vlerë 28 Nëntorit për një arsye shumë të qartë pasi ishte fitorja e Luftës Nacional Çlirimtare dhe rreshtimi shumë i mençur dhe i drejtë i partizanëve shqiptarë në luftë, që i garantoi dhe i bëri të paprekshme themelet e shtetit shqiptar”, deklaroi kryetari i LSI-së.

Ai bëri me dije se ndodhej në Varrezat e Dëshmorëve për të shprehur mirënjohjen për të gjitha ata, që dhanë jetën për çlirimin e vendit në 29 nëntor të vitit 1944, dhe për t’u shprehur mirënjohjen të gjithë dëshmorëve, e vlerësuar kontributin e tyre të madh për vendin.

“Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre, në radhë të parë ndaj dëshmorëve dhe heronjve të luftës, që nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë e atdheut”, theksoi Meta.

Kreu i LSI-së duke uruar familjet e dëshmorëve dhe partizanëve të luftës në këtë ditë jashtëzakonisht të rëndësishme, e të lavdishme për vendin, u shpreh se sakrifica e partizanëve dhe kontributi i tyre do të jetë i përjetshëm si kujtimi i tyre.

Meta tha se përkujtimi i 29 Nëntorit është mirënjohje për gjeneratën, që sakrifikoi më shumë për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri në NATO, dhe mandej në BE.

I pyetur lidhur me qëndrimin e mazhorancës, ku ai aderon, e cila kremton edhe Çlirimin e vendit në një ditë me Pavarësinë në 28 Nëntor, ish-zëvendëskryeministri Meta nënvizoi së emocionet politike nuk duhet të ngarkohen mbi historinë e vendit dhe të vërtetat e tij.

“Ky është qëndrimi i tyre. Ne nuk pajtohemi me këtë qëndrim, sepse mendojmë dhe besojmë që datën e atyre, që kanë luftuar nuk mund ta vendosin gjeneratat e mëvonshme dhe partitë politike. Faktet tregojnë se 29 Nëntori është shënuar si Dita e Çlirimit të vendit dhe absolutisht nuk duhet, që emocionet politike të ngarkohen mbi historinë, sepse nuk i bëjnë mirë as politikës dhe as historisë”, sqaroi kreu i LSI-së.

Meta e cilësoi 29 Nëntorin si një ditë të madhërishme për kombin shqiptar, që me rreshtimin e duhur në kahun e fitimtarëve bëri që Shqipëria të mos ndahej.

Meta u pyet edhe nëse e vlerëson gjestin e kreut të PS-së që përkujtoi 29 Nëntorin, si Ditën e Çlirimit të vendit, duke dhënë këtë përgjigje të tillë: “Ne nuk kemi komplekse të vlerësojmë. Ne vlerësojmë komunistët shqiptarë pasi janë ata, të cilët kanë mbajtur peshën kryesore në luftën për çlirimin e atdheut. Ne duhet të jemi realistë, se historia nuk bëhet përditë apo çdo katër vjet”, deklaroi Ilir Meta.

29 Nëntori është një ditë pushimi dhe feste në kalendar.

Por, ndërsa mazhoranca e djathtë festoi në një ditë si Ditën e Pavarësisë edhe atë të Çlirimit, pra në 28 Nëntor, e majta festoi si gjithnjë Ditën e Çlirimit në 29 Nëntor.

Prej vitit 1945, qeveria komuniste e post-luftës Nacional-Çlirimtare vendosi ta njohë 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit të Shqipërisë.

Por, kjo ditë me rënien e sistemit monist, u bë pjesë e debatit të historianëve, nëse ishte apo jo, 29 Nëntori i 1944-ës, dita kur gjermani i fundit la Shqipërinë.

Shumë historianë kanë deklaruar se Çlirimi i Shqipërisë është kryer nga forcat e ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare pikërisht në 28 nëntorin e vitit 1944, në një ditë shumë simbolike për Shtetin Shqiptar, dhe jo në ditën, që e propagandoi Enver Hoxha, në 29 nëntor, një ditë që përkon me festën kombëtare të Çlirimit të ish-federatës jugosllave, e arritur në 29 Nëntorin e 1945-ës.

Është kjo arsyeja pse shumë historianë nuk e njohin 29 Nëntorin, si Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë.

mit/NOA

KOMENTE