English

Nazim Bllaca: Pas çdo vrasjeje, shtroheshim në festë (VIDEO-INTERVISTA)

Intervistë me Nazim Bllacën, ish-pjesëtar i SHIK-ut

Ish-agjenti i SHIK-ut, Nazim Bllaca, ndihet më i qetë, tani pasi Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në bazë të dëshmive të tij, i shqiptoi 18 vjet burgim Fahredin Gashit, për një vrasje të kryer në qershor të vitit 1999.

Në një intervistë për Emisionin Drejtësia në Kosovë në RTK, Bllaca thotë se tash dy vjet, që kur doli për herë të parë publikisht me akuzat, ka dëgjuar shumë fjalë se është njeri i çmendur, tradhtar, njeri i Serbisë etj. “Pas vendimit të gjykatës, njerëzit e kanë pa se unë nuk jam njeri i sëmurë psikikisht, di me lexu, mbaj mend qindra data”, shprehet ai, në intervistën e transmetuar të dielën, në RTK.

Bllaca ka konfirmuar se është dëshmitar në rastin Kleçka. Por thotë se dëshmia e tij nuk është kundër Limajt. Porosit Azem Sylën dhe Hashim Thaçin që mos “t’ia gjuajnë krejt përgjegjësinë Limajt”, por të tregojnë se Shtabi i UÇK-së e ka themeluar burgun.

Duke folur për rolin e tij gjatë luftës në vitin 1998, Bllaca ka shpalosur se ka marrë pjesë në arrestime. Thotë se së paku tre persona i ka dorëzuar në Blinajë, ku komandant ka qenë Shukri Buja, aktualisht kryetar i Lipjanit.

Bllaca thotë se krejt dëshmitë i ka deponuar në Prokurori. Përsërit atë që e ka thënë edhe para dy vjetësh, se asnjë panel gjyqtarësh, nuk mund t’i hedh poshtë dëshmitë e tij. Kjo, sipas tij, u vërtetua me dënimin e Fahredin Gashit, i cili javën e kaluar mori 18 vjet burgim për vrasjen e Salih Gashit, nga fshati Vergofcë. Vrasja ishte kryer më 15 qershor 1999, disa ditë pas hyrjes së trupave të NATO-s, dhe është cilësuar si krim lufte.

Pas dëshmisë publike para gazetarëve, lidhur me këtë rast, më 30 nëntor 2009, Bllaca rikujtoi se ishte shoqëruar në polici, ku ishte intervistuar lidhur me vrasjen.

I pyetur pse nuk është dënuar, Bllaca ka thënë se është e vërtetë se e ka pranuar se ka qenë pjesëmarrës në vrasje, por gjykata “e ka falur”. “Vrasjet të cilat i ka paraqitur Bllaca kanë qenë të pazbuluara dhe të hulumtuara për 10 vjet. Kanë qenë të harruara, të shuara, dhe ky person [flet për vete] arriti t’ua heqë pluhurin dhe t’i qesë në ditë. Më 25 gusht 2010 më kanë shpallur dëshmitar bashkëpunues për vrasjen e Sali Gashit, për veprën për të cilën minimum është dasht me i marrë 5 vjet burgim”.

Ndërkohë, akuza ndaj tij, për vrasjen e Ibush Kllokoçit, thotë se është ndarë nga rasti i Fahredin Gashit, sepse më herët UNMIK-u dhe tani EULEX-i, i kanë cilësuar si krime lufte vetëm krimet që kanë ndodhur deri më 20 qershor 1999. Rastet e tjera hyjnë në krim të organizuar.

Ai ka treguar se më 6 tetor 2011 është konfirmuar aktakuza kundër tij për vrasjen e Kllokoçit. Por konsideron se provat që i ka dorëzuar në Prokurori, prekin nenin 10 të Kodit Penal, i cili përcakton dënim deri në 5 vjet, kur “urdhrat merren nga lart”. Por nga kush i ka marrë urdhrat? “Nga Shpresim Uka, Shpresimi nga Azem Syla, kështu ka funksionu grupi kriminal”.

Ai e mban mend shumë mirë kur para 10 vjetësh, derisa ishte duke punuar me kombajnë, kur e kanë “urdhëruar” të shkojë në Prishtinë, për të kryer vrasjen.

I pyetur si ndihet kur i kujton vrasjet, Bllaca është përgjigjur: “Trishtohem”. “Nuk është lehtë me vra një njeri...I kam shkuar njeriut t’u hangër iftar, e kam vra”. Por është arsyetuar se “ajo kohë ka qenë me tjetër sistem mendor”.

“Çdokush që ka qenë kundër PDK-së ka qenë tradhtar”. Pas vrasjes, thotë se kanë ba banket e kanë pirë.

Kontaktin e parë me një prokuror të UNMIK-ut, Bllaca e ka pasur në vitin 2006. Pastaj, thotë se është detyruar largohet jashtë, “sepse ishin dhënë 100 000 € për vrasjen e tij”. Hysri Rama, me të cilin ka lidhje familjare, i ka thënë: “Nuk i ke punët mirë, duhet me u largu se plumbin e ke afër”.

Ai thotë se nuk ka kërkuar para, por njerëz të PDK-së thotë se ia kanë ofruar 1 milion euro, që t’i heshtë krimet.

Bllaca ka konfirmuar se është dëshmitar në rastin Kleçka, ku njëri nga të akuzuarit është edhe Fatmir Limaj. Ai thotë se mburret me këtë. Sepse po fillon zbardhja e një zinxhiri vrasjesh që kanë ndodhur gjatë luftës, më saktësisht në periudhën korrik – gusht 1998.

Por thotë se dëshmia e tij nuk është kundër Limajt. “Burgun e Kleçkës nuk e ka formuar Fatmir Limaj. Si munden me u mbajt 100 persona në një burg e me ditë vetëm një person. Burgu i Kleçkës është formu në një mbledhje, në një shtab, me një procesverbal... UÇK-ja ka pasur kokën. Dihet kush është koka e shtabit, Azem Syla”.

Por as kryeministri Thaçi, sipas tij, nuk mund të amnistohet nga përgjegjësia, megjithëse ka qenë drejtor politik i UÇK-së. “Mos ja gjuani Limajt krejt. Dilni thoni, ne e kemi formuar burgun, në filan mbledhje”, shprehet Nazim Bllaca.

Ai ka akuzuar për propagandë kundër tij edhe drejtues të lartë të institucioneve. Ka përmendur data kur për të kanë folur Jakap Krasniqi, Hashim Thaçi, Ramë Buja, Kamishi etj.

Thotë se kryeparlamentari Jakup Krasniqi e ka akuzuar se është dëshmitar për Shtëpinë e Verdhë në Burrel. Por ish-arsimtari i Gjeografisë ka thënë se as nuk e di ku është Burreli.

Më 1 dhjetor 2009, Thaçi përkrah shefit të atëhershëm të EULEX-it, Kermabon, ka deklaruar se nuk do të ketë përzierje politike në rastin Bllaca. Por dy muaj më vonë, Thaçi tha se rasti është i montuar, kujton Bllaca.

I pyetur se cili ka qenë roli i tij në vitin 1998, Bllaca është përgjigjur: “Kam marrë pjesë në arrestime”. Ka shtuar se këta të arrestuar ia ka dorëzuar në Blinajë, komandës së Shukri Bujës. “Ata e dinë ku i kanë qu”. Tre persona, thotë se kurrë nuk i ka parë më.

Mohon se me akuzat dëshiron ta dëmtojë PDK-në. “Nuk po e dëmtoj askënd. Veç po du me tërheq kontributin tim, të dhënë gabimisht”, shprehet ai.

Të gjitha dëshmitë e dhëna në intervistën për Emisionin Drejtësia në Kosovë, Bllaca thotë se i ka deponuar edhe në Prokurori. Gjatë intervistës, ai ka përmendur shumë emra dhe ka bërë shumë akuza, por thotë se të gjitha qëndrojnë. Madje thotë se ka ende, por nuk dëshiron t’i dëmtojë hetimet.

328
KOMENTE