English

Opozita: Thaçi po e njeh Serbinë brenda Kosovës

Prishtinë, 29 nëntor 2011, NOA - Deklaratat e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhënë ditë më parë se është i gatshëm të takohet dhe të bisedojë me serbët e veriut për t’i zgjidhur problemet së bashku, nga opozita janë konsideruar si një “njohje e Serbisë brenda Kosovës” nga ana e kryeministrit Thaçi. Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se kreu i Qeverisë ka të drejtë kushtetuese të bisedojë me qytetarët e Kosovës për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Por nga ana tjetër, opozita sipas mediave kosovare, konsideron se nuk ka hapësirë as për bisedimet aktuale që janë duke u zhvilluar në Bruksel, e lëre më për bisedime të tjera me strukturat ilegale të veriut.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se nuk mund të bisedohet me ata njerëz që kanë vendosur barrikada dhe që i kanë djegur pikat doganore, të cilët as nuk janë përfaqësues politikë, sepse janë zgjedhur në mënyrë ilegale nga Serbia.

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani në intervistën për mediat vendase, deklaron se Qeveria ka plan për zgjidhjen e situatës në veri, por ai plan është i dëmshëm për Kosovën dhe qëllimi kryesor i Qeverisë Thaçi, sipas tij, është që t’i legalizojë strukturat paralele, përmes bisedimeve me të ashtuquajturit kryetar të komunave atje.

“Po i legalizon, po i futë brenda njohjes së Qeverisë për ta, pra po i njeh zgjedhjet që i ka mbajtë SerbiaKosovë që për neve janë ilegale, dhe ashtu janë deklaruar prej Qeverisë dhe prej mekanizmave ndërkombëtarë. Pra në vend se t’i ndjek strukturat ilegale dhe t’i shpërbëjë ato, Hashim Thaçi po don të bisedojë me ta, pra t’i njeh dhe t’i bëjë pjesë të Serbisë brenda Kosovës. Thjesht po e njeh Serbinë brenda Kosovës”, ka thënë Ramadani për Kosovapress.

Sidoqoftë, kryeparlamentari Krasniqi mendon se serbëve të veriut duhet t’iu shpjegohet më shumë për përfitimet që i kanë ata nga Plani i Ahtisarit.

“Bisedimet janë për t’i bindur qytetarët, do të ketë përpjekje edhe të ICO-së për të sqaruar edhe njëherë se ndoshta nuk janë qytetarët e asaj pjese të njoftuar me përmbajtjen e dokumentit gjithpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, dhe në këtë drejtim mendoj se ekziston një bashkëpunim i mirë mes institucioneve të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

a.q/NOA

KOMENTE