Tiranë, 29 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Ashtu siç pritej Kryetari i opozitës Edi Rama ka udhëhequr në kryeqytet ceremoninë për përkujtimin e Ditës së Çlirimit të Shqipërisë, në përvjetorin e 67-të.
Një kortezh me përfaqësues të njohur të opozitës, deputetë të Partisë Socialiste, i kryesuar nga Kryetari Edi Rama ka kremtuar si çdo vit Ditën e Çlirimit me një ceremoni solemne pranë përmendores “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve.
Nën tingujt hyjnorë të simfonive të përbotshme të luajtura me këtë rast dhe Himnin Kombëtar, kryesocialisti Rama ka vendosur kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”, ndërsa ka takuar mandej të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni, e përfaqësues të aleatëve të PS-së të mbledhur në Opozitën e Bashkuar.
Pas nderimit të dëshmorëve të kombit, kreu i PS-së në deklaratën e tij të shkurtër për mediat, e cilësoi Ditën e Çlirimit si ditën e pandryshueshme dhe të patjetërsueshme të triumfit ndaj të keqes.
Lideri i opozitës duke iu referuar fakteve të reja historike dhe mospranimit të mazhorancës për të festuar këtë ditë me protokoll zyrtar sikundër feston 28 Nëntorin e Pavarësisë, deklaroi se 29 Nëntorin nuk mund ta fshijë askush nga kujtesa dhe as nga librat e historisë.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit të vendit, 29 Nëntorin, ditën e pandryshueshme dhe të patjetërsueshme të triumfit ndaj të keqes. Kjo ditë u kujton shqiptarëve se në ditët më të këqija të historisë veteranët e luftës u drejtuan në anën e duhur të luftës. Ditën që askush nuk mund ta fshijë as nga kujtesa as nga librat e Historisë”, uroi kryesocialisti Rama.
Ai nënvizoi se 29 Nëntori bën qesharak këdo që tenton ta harrojë apo ta fshijë si ditë të shënuar nga kalendari historik i vendit.
Edhe këtë vit mazhoranca dhe opozita u ndanë në kremtimin e Ditës së Çlirimit të Shqipërisë, pasi, ndërsa mazhoranca festoi dje si Pavarësinë edhe Çlirimin, opozita kremtoi sot Ditën e Çlirimit të vendit pas Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Por, mungesa e kreut të opozitës u ndje në Tiranë edhe në festimet për Pavarësinë, festime për të cilat ai zgjodhi kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, prej nga uroi të gjithë Ditën e Flamurit.
mit/NOA