Prishtinë, 28 nëntor 2011, NOA- Në kudër të vizitës së tij në Kosovës kryesocialisti Edi Rama u prit në takim nga kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi.
Gjatë takimit Krasniqi dhe Rama, pasi këmbyen urimet me rastin e festave të Nëntorit, diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Kryetari i Kuvendit e njohu Ramën me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe me zhvillimet e tjera në vend si dhe u ndal edhe në çështjen e liberalizimit të vizave dhe pengesat që Kosova po has në rrugën e saj të përfaqësimit ndërkombëtar e të integrimit, si pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete të Bashkimit Europian.
Më tej për sa i përket bashkëpunimit parlamentar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kreu i legjislativit vuri në pah nevojën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet dy vendeve.
Nga ana e tij Rama, theksoi arsyeshmërinë dhe domosdoshmërinë e unifikimit të arsimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe bëri të ditur se për ta shtyrë përpara këtë proces, Partia Socialiste është duke hartuar një platformë.
Sipas Ramës, unifikimi i gjuhës shqipe, është një e arritur e madhe kombëtare e historike dhe si të tillë, duhet ruajtur e pasuruar.
a.y/NOA