Dhjetëra studentë iranianë kanë sulmuar të martën ambasadën e Britanisë së Madhe në Teheran, duke hequr flamurin e misionit dhe duke thyer zyrat nga brenda. Raportet thonë se studentët kanë sulmuar edhe rezidencën e ambasadorit britanik.
Nuk ka pasur njoftime të menjëhershme për viktima eventuale e as rreth numrit të punonjësve që ndodheshin në ambasadë gjatë kohës së sulmit – ndonëse ky i fundit ka zënë vend pas përfundimit të orarit të punës.
Ndërhyrja në ambasadë vjen dy ditë pasi Irani kaloi ligjin për dëbimin e ambasadorit britanik brenda dy javëve të ardhshme, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e reja të Britanisë së Madhe, të cilat ndërpresin të gjitha lidhjet me sektorin financiar të Iranit.
Sanksionet u vendosën pasi Agjencia për Energji Atomike e Kombeve të Bashkuara publikoi raportin, i cili nxjerr në pah prova që tregojnë se Irani ka punuar në zhvillimin e armëve bërthamore.
Gazetari i AFP-së, i cili ndodhej jashtë kompleksit të ambasadës, tha se rreth 20 demonstrues kanë thyer ndërtesën dhe më pas kanë nisur të hedhin dokumente nga dritaret.
Mësohet se disa demonstrues kanë hedhur edhe bomba benzine, ndërsa flamurin britanik e kanë zëvendësuar me një flamur që mbante emrin e të shenjtit shiit, Imam Husein.
Aktiviteti i protestuesve, të cilët edhe brohorisnin parulla anti-britanike, është transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror të Iranit.
Një protestues i ri mund të shihej teksa mbante portretin e vjedhur të Mbretëreshës britanike Elizabeta II, që më pas goditej nga protestuesit e tjerë.
Grupi i quajtur “Studentët myslimanë, ndjekës të Liderit Suprem”, e ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit, duke nxjerrë një deklaratë që thuhet se është shkruar me gjak.
“Iranianët nuk janë të përgatitur për të qenë të poshtëruar në asnjë rrethanë dhe preferojnë një vdekje të kuqe... Ne jemi të gatshëm të vritemi për qëllimet tona”, thuhet në deklaratën e këtij grupi.
I njëjti u bën thirrje edhe ambasadave të Gjermanisë dhe të Francës që të mbyllen, ndërsa ambasadës britanike i referohet si një “fole spiunësh”.
Kjo e fundit është parë si referencë edhe për ngjarjet e 32 vjetëve më parë në Teheran, kur qindra studentë konservativë sulmuan ambasadën e Shteteve të Bashkuara, duke marrë peng 52 amerikanë për 444 ditë.
Zyra e Jashtme britanike ka dënuar ngjarjet e sotme, duke i cilësuar ato “krejtësisht të papranueshme”. Ajo i ka bërë thirrje ekzekutivit iranian “të veprojë urgjentisht për ta sjellë situatën nën kontroll”, duke cituar obligimet e tij ndaj ligjit ndërkombëtar, i cili parasheh mbrojtjen e diplomatëve dhe të ambasadave.
Një zyrtar i Qeverisë iraniane tha se Teherani nuk është përgjegjës për dhunën, ndërkohë që raportet e medieve thonë se policia nuk ka vepruar menjëherë për të qetësuar situatën, raporton RFE.
Britania ka kërcënuar se do të veprojë “fuqishëm” nëse Ministria e Jashtme e Iranit dëbon ambasadorin britanik, Dominik Çillkot, i cili ka marrë detyrën muajin e kaluar.