Vlorë, 30 nëntor 2011, NOA – Policia e Sarandës në bashkëpunim me Repartin Delta-Forcë në Vlorë, mbrëmjen e të martës kanë sekuestruar 450 kg hashash në aksin rrugor Borsh–Sarandë, por pa mundur të arrestojë dy trafikantët, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Policia bën me dije se rreth orës 22:00 në pikën e kontrollit në Bunec u identifikuan dy automjete, të cilat pas thirrjes për të ndalur në postbllok nuk janë përgjigjur, por janë larguar me shpejtësi.
Nga ndjekja e menjëhershme policia arriti të gjejë në fshatin Lukovë furgonin tip “Hundai” pa targa dhe më tej në fshatin Shën Vasil fuoristradën, tip Mercedes-Benz, me targa SE 764 ZY, që të dyja të braktisura nga drejtuesit e tyre.
Pas kontrollit, policia sekuestroi dy automjetet, 450 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe një armë zjarri automatike mod 56 kallashnikov me dy krehra, me 60 fishekë.
Ndërkohë policia është vënë në kërkim të dy trafikuesve të drogës si dhe po heton përfshirjen e personave të tjerë në këtë aktivitet kriminal.
Edhe në një aksion të ngjashëm një ditë më parë policia arriti të sekuestrojë drogën e hedhur pas varrezave në zonën e Piskovës, por pa mundur dot të kapë trafikuesin e saj.
mit/NOA