English

Mblidhet sot Komisioni për reformën zgjedhore

Tiranë, 30 nëntor 2011, NOA – Dy javë pas miratimit në Kuvend, Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore do të mblidhet sot në të parin takim, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Në komisionin e drejtuar nga dy bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri i PS-së dhe Ilir Rusmajli i PD-së marrin pjesë përfaqësuesit e gjashtë partive parlamentare, PS dhe PBDNJ nga opozita, dhe PD, LSI, PR dhe PDIU nga mazhoranca., ndërsa partitë e vogla joparlamentare do të japin opsionet e tyre, por pa të drejtë vote në komision.

Në mbledhjen e sotme komisionerët pritet të diskutojnë amendimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sa i përket votimit familjar, votimit fiktiv, problemeve me listat e zgjedhësve.

Socialistët kanë kërkuar përveç ndryshimit të Kodit edhe përmirësimin e administratës zgjedhore, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe të administratës zgjedhore për pushtetin lokal.

Një nga pikat më të nxehta të diskutimeve pritet të jetë kërkesa për ndryshimin e sistemit zgjedhor, ku palët këmbëngulin për një sistem proporcional kombëtar.

PD ende nuk është shprehur për këtë çështje, që do të përvijohet gjatë punës së Komisionit për reformën zgjedhore.

Në pritje të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2013, të dyja palët, si mazhoranca dhe opozita janë shprehur të gatshme, që të bëjnë një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, aq më tepër kur palët shpresojnë ende ta përmbushin këtë rekomandim kyç që do t’i jepte një shans vendit për zhbllokimin e procesit të integrimit në BE.

Sa do të realizohet kjo, dhe sa do t’u përmbushen kërkesat partive të vogla nën orekset e dy partive të mëdha, PS e PD, të cilat kanë ende në fuqi një marrëveshje të vitit 2008 për Kodin Zgjedhor, pritet të shihet gjatë javëve në vijim.

mit/NOA

KOMENTE