English

Meta: Emocionet politike, historia nuk i toleron

Kryetari i LSI, Ilir Meta dhe të tjerë drejtues të LSI zhvilluan sot homazhe pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Meta vendosi kurorën me lule në emër të LSI pranë monumentit “Nënë Shqipëri”

Z. Meta jeni këtu për homazhe në monumentin “Nënë Shqipëri”. Po kremtoni ditën e çlirimit sot më 29 Nëntor...

28 dhe 29 nëntori janë 2 dytët më të rëndësishme në historinë tonë. 29 nëntori është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme që i ka dhënë vlerë 28 nëntorit për një arsye shumë të qartë sepse ka qenë fitorja e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka qenë rreshtimi shumë i mençur dhe i drejtë i partizanëve shqiptarë me ata që e fituar këtë luftë kundër nazi-fashizmit, që garantoi dhe i bëri të paprekshme themelet e pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Prandaj ne jemi sot këtu për të shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që dhanë kontributin e tyre për çlirimin e vendit më 29 nëntor të vitit 1944. Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen tonë në radhë të parë ndaj dëshmorëve dhe heronjve të luftës antifashiste të cilët nuk kursyen as gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre, rininë e tyre për lirinë e Atdheut. Të vlerësojmë kontributin dhe sakrificat e të gjithë partizanëve dhe partizaneve.

Keni ju një urim sot në këtë ditë festive?

Ne u urojmë të gjithë familjeve të dëshmorëve, të gjithë familjeve të partizanëve dhe partizaneve shqiptare. I urojmë të gjithë popullin shqiptar sepse kjo është festë e të gjithëve, gëzuar këtë ditë jashtëzakonisht të rëndësishme. I lavdishëm qoftë gjithmonë sakrifica dhe kontributi i tyre për çlirimin e Atdheut dhe natyrisht që do të jetë i përjetshëm kujtimi i të rënëve. Këtë e tregon më së miri edhe pjesëmarrja e dhjetëra apo qindra të rinjve sot këtu si një mirënjohje për gjeneratën që sakrifikoi më shumë për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri në NATO, për një Shqipëri pa viza, për një Shqipëri që do të bashkohet plotësisht me Evropën të cilës i kemi përkitur historikisht.

Z. Meta a ju vjen keq që këtë festë të popullit shqiptar, një pjesë e politikës shqiptare e feston ndryshe?

Ky është një qëndrim i tyre. Ne nuk pajtohemi sepse ne mendojmë dhe besojmë që datën e atyre që kanë luftuar nuk mund ta vendosin gjeneratat e mëvonshme, aq më tepër partitë politike. Fakti që në mënyrë dërrmuese shumica e veteranëve të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kanë zgjedhur 29 nëntorin tregon më së miri që kjo është dita e çlirimit të vendit dhe absolutisht që nuk duhet që emocionet politike të ngarkohen mbi historinë sepse nuk i bëjnë mirë as historisë e as politikës. 29 nëntori është një ditë e madhe për popullin dhe për kombin shqiptar. Ne e dimë shumë mirë se çfarë do të kishte ndodhur sikur Shqipëria të ishte rreshtuar në anën e nazi-fashizmit dhe ne e dimë shumë mirë që ka pasur edhe forca politike në Shqipëri, ka pasur rryma të caktuara të cilat kanë bashkëpunuar me fashizmin dhe me nazizmin. Dihet shumë mirë që Shqipëria do të ishte ndarë pas kësaj Lufte të II-të Botërore në rast se do të kishte bërë rreshtimin e gabuar por ka qenë një luftë e njohur botërisht, e njohur nga aleatët anglo-amerikan, nga Bashkimi Sovjetik dhe nga gjithë vendet e tjera kryesore. Ka qenë një sakrificë e panumërt e cila e bëri të pamundur që të rrezikohej pavarësia dhe integriteti apo sovraniteti i popullit shqiptar.

Kjo do të thonë që ju e vlerësoni Partinë Socialiste për faktin që e feston si ju këtë ditë?

Ne nuk kemi komplekse të vlerësojmë të gjithë ata që i kanë bërë nder vetes dhe historisë. Ne vlerësojmë dhe komunistët shqiptarë sepse duhet thënë pa frikë dhe pa ndrojtje që peshë kryesore në Luftën e II-të Botërore mbajtën komunistët. Natyrisht që ajo nuk ka qenë një luftë nga populli shqiptar për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Ajo ka qenë një luftë për çlirimin e Shqipërisë, për çlirimin e Atdheut por në fund të fundit ne duhet të jemi realist dhe historia nuk i toleron emocionet dhe nuk bëhet çdo ditë apo çdo 4 vite.

KOMENTE