Tiranë, 30 nëntor 2011, NOA - Këshilli i Ministrave miratoi sot, projektligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Kryeministri Berisha e konsideroi konsideruar Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme si regjistrin e dytë themelor më të rëndësishëm të shtetit, pas atij të gjendjes civile.
“Janë kontraktuar firma ndër më seriozet, - tha Berisha - të cilat po bëjnë regjistrimin e parcelave, dixhitalizimin dhe brenda vitit që vjen, ky proces do të përfundojë. Ky është një proces i një rëndësie jetike, vendimtare për themelet e tregut e stabilitetin e tij. Qeveria austriake dhe Banka Botërore kanë dhënë e po japin një ndihmesë shumë të çmuar. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, në këtë proces, ka propozuar reformimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, drejtimin e saj nga një Bord me përfaqësues të disa institucioneve dhe shndërrimin e saj në një institucion që varet nga Ministria e Drejtësisë, por që kalon në vetëfinancim”.
Me këtë ligj, theksoi Kryeministri, kompletohet reforma e sistemit të regjistrimit të pasurive, çka përbën “një zhvillim shumë pozitiv dhe një detyrim madhor në reformat në tërësi.”
a.q/NOA