English

Nis punën komisioni për reformën, Topalli: Moment reflektimi

Tiranë, 30 nëntor 2011, NOA/Albana Qehajaj – Komisioni kuvendor ad hoc për realimin e reformës zgjedhore është mbledhur pak minuta në parë në ambjentet e kryesisë së Kuvendit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Përfaqësuesit e 6 partive parlamentare, në prani edhe të ambasadorëve të huaj të akredituar në vendin tonë, janë ulur përballë njëri tjetrit për të nisur punën, në ndryshimin e Kodit Zgjedhor, pasi është rënë paraprakisht dakord për pikat mbi të cilat do të punohet deri në fillimin e muajit Mars të vitit të ardhshëm.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në fjalën e saj tha se, reforma zgjedhore është akt politik i rëndësishëm parlamentar. Vetë prania e ambasadorëve, sipas saj tregon për rëndësinë e reformës në përmirësimin e standarteve zgjedhore.

“Nuk është thjesht reformë parlamentare, por një gur prove për partitë politike. Është rasti ku çdo parti të dalë jashtë interesave të ngushta, në funksion të një standardi, siç e duan të gjithë shqiptarët”, tha Topalli.

Duke iu drejtuar partive pjesëmarrëse në tryezë, Topalli tha se komisioni është një moment reflektimi, por edhe për të arritur kompromise në funksion të reformës zgjedhore.

“Ajo duhet të jetë në funksion të interesave për të ardhmen e vendit. Administrata e Kuvendit është në dispozicionin tuaj si për burime njerëzore edhe për burime financiare. Si kryetare e Kuvendit, kam përgatitur letrat që t’i drejtohemi edhe ndërkombëtarëve, përfshi Komisionin e Venecias, në rast se do t’ju duhet konsulenca e tyre”, nënvizoi Topalli.

a.q/NOA

KOMENTE