Tiranë, 30 nëntor 2011, NOA - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ngushëllon familjen mbretërore dhe të gjithë mbështetësit e saj për humbjen e Naltmadhënisë së Tij, Leka Zogu I.
Në një deklaratë për mediat të publikuar pak më parë, PDIU vlerëson kontributin e familjes mbretërore në konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar me frymë patriotike, nën drejtimin e Mbretit Zog I, si edhe në përpjekjet e vazhdueshme në të mirë të kombit të të birit, Naltmadhënisë së Tij, Leka Zogu I, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Jeta në mërgim ku është detyruar të jetojë Leka Zogu I nuk ka mposhtur përpjekjet e tij në të mirë të atdheut. Përmes sakrificave dhe luftës së vazhdueshme, ai u kthye në simbolin e rezistencës antikomuniste, gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri, duke i dhënë figurës së tij një rëndësi historike. Leka Zogu I, ashtu sikurse edhe i ati i tij, mbante titullin Mbret i Shqiptarëve, duke mishëruar më së miri, idenë e bashkimit kombëtar dhe nevojën e të gjithë shqiptarëve për të qenë të bashkuar”, deklaron PDIU.
Sipas PDIU-së, këto janë arsye të mjaftueshme, që familja mbretërore të gëzojë një status të veçantë, sikurse në shumicën e vendeve të botës, çka ende është një detyrë për t’u plotësuar nga qeveria shqiptare.
PDIU ngushëllon familjen mbretërore dhe në veçanti, princin Leka Zogu II për këtë humbje.
mit/NOA
Në Foto: Trashëgimtari i Fronit Mbretëror shqiptar Leka Zog I dhe bashkëshortja e tij Suzanë.