English

Rexhepi: Dhunës së serbëve, t’u përgjigjemi me forcë

Prishtinë, 29 nëntor 2011, NOA - Ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi ka deklaruar se KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës duhet të përdorin forcë proporcionale ndaj protestuesve serbë në veri.

Siç raporton RTK, Rexhepi ka vlerësuar se vetëpërmbajtja maksimale e ushtarëve të KFOR-it u ka krijuar serbëve idenë se mund të bëjnë atë që dëshirojnë.

“Unë disa herë e kam thënë se KFOR-i dhe policia duhet të përgjigjen në mënyrë proporcionale në vartësi të situatës. Por, nëse dikush është shumë i dhunshëm dhe rrezikon jetën e ushtarëve të KFOR-it, atëherë ne do të përdorim të njëjtën gjuhë”, ka pohuar Rexhepi.

Më tej ministri i Brendshëm ka shprehur bindjen se pavarësisht rezistencës së grupeve radikale serbe, në veri të Kosovës do të vendoset rendi dhe ligji.

“KFOR-i, EULEX-i dhe policia do të ndërmarrin masa të përbashkëta që përkundër rezistencës në veri, qytetarëve t`u mundësohet lëvizja e lirë, siguria, rendi dhe ligji”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka nënvizuar se vendi i ka të gjitha potencialet për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe që në bashkëpunim me KFOR-in t’u tregojë serbëve se nuk mund ta mbajnë atë në duart e tyre.

“Veprimet e policisë së Kosovës do të jenë të koordinuara me KFOR-in dhe EULEX-in, prandaj situata do të menaxhohet bashkarisht në mënyrë që të mos përshkallëzohet”, ka shtuar Rexhepi.

a.q/NOA/RTK

KOMENTE