Tiranë, 30 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Një jetë e vështirë në ekzil dhe një rikthim në Atdhe me kurorën e trashëguar nga i ati, por jo një pushtet bashkë me të.
Kështu mund ta cilësosh jetën e të birit të mbretit Zog, Leka I, i cili u largua një foshnje dyditëshe nga Shqipëria, dhe u rrit andej këndej, sa nëpër Europë e Euro-Azi, bashkë me Familjen Mbretërore, për t’u vendosur më gjatë në Afrikën e Jugut, në Johanesburg, nga ku do të vinte përgjithmonë në Tiranë vetëm në vitin 2002, pra nëntë vjet më parë, në moshën 63-vjeçare.
Trashëgimtari i Fronit Mbretëror, i cili në tërë botën njihet si Princi trashëgimtar i kurorës së Mbretërisë Shqiptare ndërroi jetë pas një arresti kardiak të përsëritur.
Zemra e tij nuk mundi të rezistojë dot më.
Oborri Mbretëror deklaroi paraditen e sotme se zemra e N.M.T. Leka I, pushoi së rrahuri në orën 08.45 të mëngjesit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Oborri theksoi se Leka I u shtrua në spital në 15 nëntor nga një sëmundje multisistemike.
Sipas Oborrit Mbretëror, gjendja e Trashëgimtarit u përkeqësua pas një arresti kardiak të premten e 25 nëntorit.
Përfaqësuesit e Oborrit Mbretëror falenderuan ekipin mjekësor që asistoi për kaq ditë në mënyrë profesionale terapinë e Lekës së Parë, duke shprehur hidhërimin e të gjithëve për humbjen e sovranit legjitim.
Më herët pranë reanimacionit shkoi edhe ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, i cili deklaroi për mediat se NMT. Leka I ndërroi jetë pas një arresti kardiak të përsëritur.
“U nda nga jeta N.M.T. Leka Zogu, pas një gjendjeje shëndetësore tejet të rënduar. Ai u kurua nga një staf tejet i kualifikuar mjekësh. Por fatkeqësisht gjendja e tij u rëndua për shkak të arrestit kardiak të përsëritur, duke bërë të pamundur shërimin e tij”, tha ministri Vasili, duke shprehur hidhërimin e tij dhe të mjekëve për humbjen e jetës së trashëgimtarit të fronit mbretëror.
“Ai është ndjekur në një terapi shumë profesionale, u provua gjithçka që ishte e mundur, por nuk arritën dot atë që dëshironin, ta shpëtonin”, nënvizoi Vasili.
Me shuarjen e trashëgimtarit Leka I, mbyllet një epokë e rëndësishme e historisë së familjes Mbretërore Shqiptare, që do të niste me kurorëzimin e Lekës së Parë si Princ trashëgimtar legjitim i mbretit Zog.
Leka Zog I, nga ikja në rikthim
Jeta e trashëgimtarit të Fronit Mbretëror dhe e familjes së tij është një histori e denjë filmash të mërgatave të familjeve të njohura.
Leka I u largua nga Shqipëria, foshnje dyditëshe, bashkë me mbretin Ahmet Zog dhe mbretëreshën Geraldinë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.
Familja mbretërore pas kremtimit të ardhjes në jetë të trashëgimtarit emigroi në vende të ndryshme të botës.
Fillimisht në Angli, por pas luftës ata u shpërngulën në Egjipt pranë mbretit Faruk.
Leka I u shkollua në shkollën “Parmoor House” në Egjipt, si dhe më pas në Zvicër.
Studioi për ekonomi në universitetin e Sorbonës dhe kreu më pas Akademinë ushtarake Mbretërore në Angli.
Leka I u kurorëzua si Mbret i Shqiptarëve në ekzil, pas vdekjes së mbretit Ahmet Zog në vitin 1961.
Në vitin 1975 ai u martua me mësuesen australiane Susan Cullan.
Çifti u rikthye në Madrid, por më pas emigroi në Rodezi dhe në fund në Afrikën e Jugut në Johanesburg ku u vendosën për shumë vite, ku sollën në jetë edhe djalin e vetëm leka II.
Pas vitesh të tëra në mërgim Leka I u rikthye në Shqipëri për herë të parë në vitin 1993, kur ai nuk u lejua nga qeveria e asaj kohe, për shkak se në pasaportën ndërkombëtare diplomatike njihej si Mbret i Shqiptarëve.
Më pas Trashëgimtari i fronit mbretëror shqiptar do të vinte në vitet e rebelimit të 1997-ës, kur në referendumin për formën e shtetit, Monarki apo Republikë, fitoi kjo e dyta, edhe pse asohere pati shumë që thanë se monarkia fitoi, por u vodhën votat.
Më pas Leka Zog I do të rikthehej përfundimisht në Tiranë në vitin 2002, pasi doli i pafajshëm në gjyqin që i çelën në Tiranë.
Në vitin 2004 ndërroi jetë bashkëshortja e tij, e njohur si Mbretëresha Suzanë, me të cilën Leka Zog I ka një djalë të vetëm, Lekën II.
Në vitin 2006 i kushtëzuar edhe nga gjendja jo e mirë shëndetësore trashëgimtari i Fronit Mbretëror Shqiptar u tërhoq nga jeta politike dhe publike.
mit/NOA