English

7 vetë në pranga, bllokohet 25 kg drogë me vlerë 500 mijë euro

Prishtinë, 30 nëntor 2011, NOA- Një operacion i policisë së Kosovës ka bërë të mundur sekuestrimin e 25 kilogramë lënde narkotike dhe ka arrestuar shtatë persona të dyshuar si zotërues të saj.

Mësohet se në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës u sekuestrua lënda narkotike e dyshuar si heroinë.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, operacioni u kurorëzua në sajë të informacionit të marrë në rrugë operative dhe pas sigurimit të provave u bë arrestimi i personave të dyshuar.

Gjatë një kontrolli të ushtruar në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Elezit u kontrollua një autobus i linjës Stamboll- Prishtinë ku u gjetën dhe konfiskuan mbi 25 kg substancë narkotike që dyshohet të jetë heroinë.

Burime zyrtare nga policia e Kosovës thanë për NOA.al se, kjo sasi ka qenë e vendosur në 8 valixhe të deklaruara si mallra tekstili.

Valixhet e dyshuara i janë kontrolluar përmes skanerit dhe kontrollit manual ku është vërejtur se në pjesën e fundit të valixheve kishte të vendosur diçka të dyshimtë e që rezultoi të ishte sasia e substancës narkotike.

Pas këtij konstatimi efektivët e policisë ndërmorën edhe një varg procedurash hetimore duke kontrolluar në vende të ndryshme në Pejë dhe Prishtinë dhe arrestuan shatë të dyshuar, 6 meshkuj dhe një femër që të gjithë kosovarë.

Sakaq gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve policia ka gjetur dhe sekuestruar si pjesë e provave materiale, 250 gramë substancë narkotike që dyshohet të jetë heroinë, 10.000 lira turke, 15.000 euro, 3 peshore dixhitale, 1 lap- top dhe 8 telefona celularë.

Lidhur me lëndën narkotike të sekuestruar thuhet se në bazë të vlerësimeve fillestare vlera e përafërt e substancës narkotike të konfiskuar arrin vlerën prej 500.000 euro.

Sakaq ndaj shtatë të prangosurve kanë nisur hetimet për veprat penale, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të lëndëve narkotike”.

a.y/NOA

KOMENTE