English

Berisha: Investitorët turq të shtrijnë aktivitetet në bujqësisë e turizëm

Tiranë, 1 dhjetor 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha priti sot në takim Ministren e Punës turke, Fatma Sahin.

Gjatë takimit Berisha i komunikoi mysafires se mes dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera, ndërsa shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që qeveria turke, Kryeministri Erdogan dhe Presidenti Gyl i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë. Nga ana e saj ministria Sahin i shprehu Kryeministrit falënderimet për ndihmën që qeveria shqiptare dha në mbështetje të familjeve të viktimave të tërmetit në Van, por edhe për rolin dhe ndihmën që ajo dha në operacionin e kërkim shpëtimit të marinarëve turq që humbën jetën si pasojë e përplasjes së dy anijeve. Sakaq Kryeministri Berisha, garantoi zbatimin rigoroz të protokollot, si dhe shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të firmosur çdo marrëveshje që plotëson kuadrin e bashkëpunimit me Turqinë. Kryeministri vlerësoi faktin se investimet turke në Shqipëri janë rritur disa herë dhe shtrihen në fusha të ndryshme si në telekomunikacion, në fushën arsimore, ushtarake etj.. Ai theksoi se do të ishte me interes që investitorët turq të shtrijnë aktivitetet e tyre në fushën e bujqësisë, por edhe të turizmit në Shqipëri, duke sjellë këtu eksperiencën e një vendi me tradita të shkëlqyera në këtë fushë. Nga ana e saj, ministrja Sahin shprehu kënaqësinë që shumë biznesmenë turq kanë hedhur firmat e tyre në veprat e rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se vizitat e ndërsjella politike janë një faktor i rëndësishëm në nxitjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare. a.y/NOA

KOMENTE