Tiranë, 1 dhjetor 2011, NOA- Një ceremoni e posaçme u zhvillua paraditen e sotme në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u dhuruan disa pajisjeve teknike për Policinë e Shtetit të mundësuara nga Zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, të pranishëm në këtë ceremoni ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga Zyra e OSBE-së në Tiranë dhe Policia e Shtetit.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Burgaj falenderoi zyrën e Prezencës së OSBE-së në Tiranë për mbështetjen e vazhdueshme si në drejtim të trajnimit të punonjësve të policisë ashtu edhe për kontributin me pajisje të ndryshme teknike.
“Unë e garantoj ambasadorin Wollfarth se kjo mbështetje që OSBE jep për Policinë e Shtetit, do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe përmirësimin e performancës së Policisë së Shtetit për të qenë sa më pranë dhe në shërbim të komunitetit”, u shpreh Burgaj.
Nga ana e tij ambasadori Wollfarth theksoi se, nga ana e policisë janë bërë arritje të shumta, “Profesionalizmi aktual i policisë së Shtetit ka bërë progres të dukshëm bazuar në përkushtimin e palodhshëm të oficerëve të policisë në të gjitha nivelet. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dëshiron t’i dhurojë disa pajisje teknike për përdorim gjatë zhvillimit dhe menaxhimit të operacioneve të infiltruara të policisë. Këto pajisje do të kenë për qëllim t’i ndihmojnë oficerët e policisë që të sigurojnë prova që mund të përdoren në gjykatë. Për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri është gjithmonë kënaqësi dhe detyrë fisnike të mbështesë Policinë e Shtetit ndërsa ajo vazhdon të forcojë edhe më shumë kapacitetet e saj”.
Mësohet se këto pajisje do t’i shërbejnë strukturave të Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të rënda, duke ndikuar në përforcimin e mëtejshëm të luftës kundër krimit dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të këtyre strukturave në hetimin, identifikimin dhe parandalimin e krimeve.
Në përfundim të kësaj ceremonie, Burgaj dhe Wollfarth, nënshkruan aktin e dhurimit të pajisjeve teknike për Policinë e Shtetit.
a.y/NOA