English

Jahjaga e Thaçi ngushëllojnë familjen e Leka Zogut

Prishtinë, 30 nëntor 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nëpërmjet një mesazhi ka ngushëlluar familjen e pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu i I-rë i cili u nda nga jeta mëngjesin e ditës së sotme.

Krahas saj edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka ngushëlluar familjen e të ndjerit nëpërmjet një mesazhi ngushëllimi.

Leka Zogu I-rë, ishte shtruar prej afro dhjetë ditësh në Reanimacionin e Spitalit të Neurokirurgjisë, pas një përkeqësimi të shëndetit të tij në zemër dhe në rrugët e frymëmarrjes.

Agjencia e lajmeve NOA.al publikon të plotë mesazhet e ngushëllimit të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës.

Në telegramin e ngushëllimit të Presidentes Jahjaga thuhet:

E nderuara familje mbretërore shqiptare,

Morëm me pikëllim të thellë lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Leka Zogu I.

Në emrin tim personal, në emër të institucioneve dhe në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Me këtë rast, vlerësojmë lart kontributin e familjes mbretërore në ndërtimin e shtetit dhe demokracisë shqiptare dhe punën, përherë në të mirë të Kombit. Qytetarët e Kosovës e ruajnë kujtimin për Leka Zogu I, i cili gjithmonë dhe në çdo rast ishte me Kosovën.

Ngushëllimet më të thella për familjen Mbretërore Shqiptare dhe për mbarë kombin shqiptar.

Në telegramin e ngushëllimit të Kryeministrit Thaçi thuhet:

E nderuar familje e Leka Zogut të Parë,

Me pikëllim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Leka Zogut të Parë.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim pranoni ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj, Leka Zogut të Parë.

Leka Zogu i Parë ishte një figurë e rëndësishme, që përballoi shumë vështirësi në jetën e tij, që lanë gjurmë në kujtesën e popullit shqiptar.

Populli i Kosovës do ta përkujtojë Leka Zogun e Parë, që gjithherë bashkëjetoi me sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

a.y/NOA

KOMENTE