English

Korrupsioni, TIA: Shqipëria zbret shkallë, e parafundit në rajon

Tiranë, 1 dhjetor 2011, NOA – Kur lufta kundër korrupsionit në vend është në majë të apeleve të ndërkombëtarëve, por edhe kryemotiv në punën e qeverisë, e përzgjedhur si një qeveri e vogël, Shqipëria shënon hapa prapa, duke u renditur e 95-ta në botë mes 183 vendeve të tjera për shkallën e korrupsionit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ka qenë “Transparency International Albania” që ka publikuar këtë raport të fundit, duke bërë me dije se Shqipëria ka bërë hapa prapa sa i përket korrupsionit duke lënë pas vetes vetëm Kosovën.

“Shqipëria ka shënuar një ulje prej 8 vendesh në vitin 2011, dhe vlerësohet me 3.1 pikë, ndërkohë që në vitin 2010 kishte 3.3 pikë sa i takon indeksit të perceptimit të korrupsionit”, deklaroi TIA, duke preçizuar se Shqipëria është në vendin e parafundit në rajon sa i përket perceptimit të korrupsionit duke lënë prapa vetëm Kosovën.

Sipas TIA-s Bosnja nuk ka pësuar ndryshime në renditje, Mali i Zi ka shënuar përparim, kurse Serbia dhe Maqedonia kanë bërë hapa prapa.

Edhe këtë vit, thekson TIA, Kosova renditet e 112-ta ndërmjet 183 shteteve të tjera, mes tyre edhe Egjipti, Moldavia, Senegali, Vietnami, Algjeria.

TIA nënvizon se Kosova është vlerësuar me 2.9 pikë duke u renditur më poshtë se vendet e tjera në raportin për shkallën e korrupsionit.

“Transparency Internacional Albania” thotë se ndërsa Shqipëria ka zënë vendin e 95-të, Kroacia e Mali i Zi janë në vendin e 66-të, Maqedonia në të 69-tin, Serbia është në vendin e 86-të dhe Bosnje e Hercegovina në vendin e 91-të.

mit/NOA

KOMENTE