Tiranë, 30 nëntor 2011, NOA- Ministri i Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Spiro Ksera, priti sot në takim homologen turke, Fatma Sahin, ku u diskutua nënshkrimi i marrëveshjes në fushën e shërbimeve sociale mes dy vendeve.
Në qendër të bisedës mes tyre ishte bashkëpunimit në fushën sociale mes Turqisë dhe Shqipërisë.
Dy homologët vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shteteve duke u ndalur në fushat e punësimit dhe të çështjeve sociale.
“Turqia është vendi i parë me të cilin Shqipëria ka firmosur marrëveshje në fushën e Sigurimeve Shoqërore dhe një javë më parë Qeveria shqiptare miratoi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e punësimit dhe të formimit profesional. Të dyja këto marrëveshje janë shumë të rëndësishme dhe kontribuojnë në shkëmbimin e eksperiencave pozitive mes institucioneve tona, duke lehtësuar edhe jetën e shtetasve nga të dy vendet që kanë zgjedhur të jetojnë në vendet e ndërsjellta”, u shpreh Ksera.
Ndërsa ministrja Sahin u shpreh e gatshme për të forcuar bashkëpunimin mes dy ministrive.
Në fund të takimit të dy homologët ranë dakord që ekspertët e të dy ministrive të fillojnë punën për draftimin e një marrëveshjeje në fushën e shërbimeve sociale.
a.y/NOA