Bruksel, 30 nëntor 2011, NOA- Kreu i delegacionit te Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan dhe eurodeputeti socialist Hannes Swoboda, u kanë dërguar një letër të hapur Kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, në letrën e tyre përshëndetet marrëveshja mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për komisionin për Reformën Zgjedhore.
“Puna për Reformën Zgjedhore është një hap përpara, ne i mirëpresim këto zhvillime pasi këto janë bazat për normalizimin e jetës politike, pasi këto arritje janë përgjigje për sfida të mëdha”, thuhet në letrën e tyre.
Sipas tyre, theksohet se tani duhet që politika të jetë largpamëse dhe të përqendrohet në prioritet e vendit.
“Presim funksionim më të mirë për parlamentin dhe konsensus të gjerë për Reformën Zgjedhore, si dhe të ketë zbatim për reformën e gjyqësorit”, shkruhet në vijim të letrës.
Suke iu drejtuar dy krerëve të politikës shqiptare, dy eurodepuetët bëjnë thirrje që të bashkohen për detyrimet dhe përparimet drejt Bashkimit Europian, pasi sipas tyre e ardhmja e Shqipërisë është BE, ndërsa shprehen të kënaqur që ndër prioritetet e politikës shqiptare janë rekomandimet.
Sakaq, ditën e sotme u zhvillua mbledhja e parë e komisionit kuvendor ad- hoc për realizimin e Reformës Zgjedhore. Përfaqësuesit e 6 partive parlamentare, në prani edhe të ambasadorëve të huaj të akredituar në vendin tonë, u ulën përballë njëri tjetrit për të nisur punën, në ndryshimin e Kodit Zgjedhor, pasi është rënë paraprakisht dakord për pikat mbi të cilat do të punohet deri në fillimin e muajit Mars të vitit të ardhshëm. Mbledhja e këtij komisioni u përshëndet edhe nga ambasadorët e akredituar në vendin tonë.
a.y/NOA
Në foto: Pamje nga komisioni ad hoc për Reformën Zgjedhore