Tiranë, 30 nëntor 2011, NOA- Pretendenti për fronin mbretëror Leka Zogu i I-rë u nda nga jeta mëngjesin e ditës së sotme në moshën 72-vjeçare.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Leka i I-rë ishte shtruar prej afro dhjetë ditësh në Reanimacionin e Spitalit të Neurokirurgjisë, pas një përkeqësimi të shëndetit të tij në zemër dhe në rrugët e frymëmarrjes. Sipas mjekut të njohur neurokirurgut Mentor Petrela, trashëgimtari i fronit Leka i I-rë vuante nga probleme multisistemike. Pas disa përmirësimesh të vogla të herëpashershme gjatë ditëve të shtrimit në spital, i biri i mbretit Zog ka mbyllur sytë përjetë. Vetëm pak çaste më vonë pas bërjes publike të lajmit për ndarjen nga jeta të trashëgimtarit të mbretit Ahmet Zog, oborri mbretëror deklaroi se zemra e Lekës së I-rë, pushoi së rrahuri në orën 08.45 të mëngjesit. Oborri theksoi se Leka I u shtrua në spital në 15 nëntor nga një sëmundje multisistemike dhe se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua pas një arresti kardiak të premten e 25 nëntorit. Përfaqësuesit e oborrit mbretëror falenderuan ekipin mjekësor që asistoi për kaq ditë në mënyrë profesionale terapinë e Lekës së Parë, duke shprehur hidhërimin e të gjithëve për humbjen e sovranit legjitim. Më herët pranë reanimacionit shkoi edhe ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, i cili deklaroi për mediat se Leka i I-rë ndërroi jetë pas një arresti kardiak të përsëritur. “U nda nga jeta Leka Zogu, pas një gjendjeje shëndetësore tejet të rënduar. Ai u kurua nga një staf tejet i kualifikuar mjekësh. Por fatkeqësisht gjendja e tij u rëndua për shkak të arrestit kardiak të përsëritur, duke bërë të pamundur shërimin e tij”, tha ministri Vasili, duke shprehur hidhërimin e tij dhe të mjekëve për humbjen e jetës së trashëgimtarit të fronit mbretëror.
Berisha: E shtuna ditë zie Qeveria shpall të shtunën, ditë zie kombëtare, në nderim të pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu I. Në mbledhjen e përjavshme të qeverisë, kryeministri Berisha ka vlerësuar figurën e 72 vjeçarit, i cili e kaloi në mërgim thuajse të gjithë jetën e tij. “Sot është një ditë e veçantë, ditë në të cilën shqiptarët humbën një nga personalitetet më të mëdha të historisë së tyre politike. Në ligjin e parlamentit përcaktohet detyrimi i përfshirjes në protokollin shtetëror i familjes mbretërore dhe ky ka qenë vendim i drejtë. Vendi dhe kombi do e përcjellin mbretin Leka i Parë me nderimet që i përkasin një mbreti jo në detyrë, me atributet që i përkasin mbretit jo në detyrë”, tha kryeministri në takimin me kabinetin e tij, raporton agjencia e lajmeve, NOA.al. Më tej kreu i qeverisë lajmëroi se e shtuna është ditë zie kombëtare, ndërsa të gjithë të pranishmit në mbledhjen e qeverisë, mbajtën një minutë heshtje në kujtim të Leka Zogu I.
Topi: Leka. Rol për ngritjen e vlerave të kombit
Presidenti Bamir Topi në përmjet një mesazh ngushëllimi u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu I. “Të dashur familjarë të Leka Zogu I, Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Leka Zogu I, trashëgimtarit të Mbretit Zog. Në këto momente të trishtueshme dhe të vështira për ju, më lejoni që në emër të shtetit shqiptar dhe timin personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta! Leka Zogu I pati një jetë të vështirë, por pavarësisht nga fatet e jetës, ai nuk reshti në asnjë çast duke punuar me përkushtim e dashuri në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes shqiptare. Në kujtesën tonë kombëtare kanë mbetur të gjalla përpjekjet dhe roli i tij aktiv për rrëzimin e sistemit komunist, dhe gjatë tranzicionit, për lartësimin e vlerave kombëtare dhe nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Ndarja nga jeta është një humbje e madhe për ju, për të afërmit, për të gjithë ata që e njohën nga afër dhe për bashkatdhetarët.”
Detajet e ceremonisë për Leka Zogun:
Një komision i posaçëm shtetëror do të organizojë funeralin e pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu I, i cili u shua sot në mëngjes. Qeveria miratoi pas mesditës organizimin e ceremonisë funebre shtetërore, ndërsa e shtuna po me vendim qeverie u shpall ditë zie kombëtare.
Në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave është publikuar vendimi i sotëm, i cili sipas kryeministrit Berisha bëhet në nderim të mbretit Leka.
Sipas vendimit komisioni shtetëror do të përbëhet nga:
• z. Edmond Haxhinasto, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme;
• z. Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;
• z. Arben Imami, ministër i Mbrojtjes;
• një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar;
• një përfaqësues i protokollit të Shtetit;
• një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
“Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e shtunë, datë 3.12.2011, ora 10.00 deri 12.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi”, citon agjencia e lajmeve NOA.al.
Sa i takon zisë kombëtare në vendimin e qeverisë bazuar në nenin përkatës të Kushtetutës thuhet se, në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje.
E sikundër e kërkon edhe protokolli, Radio - Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit, do të transmetojë muzikë funebre. Leka Zog I, nga ikja në rikthim Leka i I-rë u lind më 5 prill 1939, dy ditë përpara pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, që u bë pikënisja e shtegtimit politik jashtë atdheut të familjes mbretërore shqiptare.
Jeta e pretendentit të fronit mbretëror dhe e familjes së tij është një histori gjatë mërgatash. Leka I u largua nga Shqipëria, foshnje dyditëshe, bashkë me mbretin Ahmet Zog dhe mbretëreshën Geraldinë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Familja mbretërore pas kremtimit të ardhjes në jetë të trashëgimtarit emigroi në vende të ndryshme të botës. Fillimisht në Angli, por pas luftës ata u shpërngulën në Egjipt pranë mbretit Faruk. Leka I u shkollua në shkollën “Parmoor House” në Egjipt, si dhe më pas në Zvicër. Studioi për ekonomi në universitetin e Sorbonës dhe kreu më pas Akademinë ushtarake Mbretërore në Angli. Leka I u kurorëzua si Mbret i Shqiptarëve në ekzil, pas vdekjes së mbretit Ahmet Zog në vitin 1961. Në vitin 1975 ai u martua me mësuesen australiane Susan Cullan. Çifti u rikthye në Madrid, por më pas emigroi në Rodezi dhe në fund në Afrikën e Jugut në Johanesburg ku u vendosën për shumë vite, ku sollën në jetë edhe djalin e vetëm Leka II. Pas vitesh të tëra në mërgim Leka I u rikthye në Shqipëri për herë të parë në vitin 1993, kur ai nuk u lejua nga qeveria e asaj kohe, për shkak se në pasaportën ndërkombëtare diplomatike njihej si Mbret i Shqiptarëve. Më pas pretendenti i fronit mbretëror shqiptar do të vinte në vitet e rebelimit të 1997-ës, kur në referendumin për formën e shtetit, Monarki apo Republikë, fitoi kjo e dyta. Më pas Leka Zog I do të rikthehej përfundimisht në Tiranë në vitin 2002, pasi doli i pafajshëm në gjyqin që i çelën në Tiranë. Në vitin 2004 ndërroi jetë bashkëshortja e tij, e njohur si Mbretëresha Suzanë, me të cilën Leka Zog I ka një djalë të vetëm, Lekën II. Në vitin 2006 i kushtëzuar edhe nga gjendja jo e mirë shëndetësore trashëgimtari i Fronit Mbretëror Shqiptar u tërhoq nga jeta politike dhe publike.
NOA