Tiranë, 1 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, nesër, që në orët e para të mëngjesit vendi ynë do të dominohet nga kthjellimet por gjatë orëve të mesditës do të ketë kalime vranësirash të lehta si fillim bregdeti e më pas në të gjithë vendin.
Pjesa e dytë e ditës do të sjellë largim të vranësirave nga territori shqiptar duke bërë që kthjellimet të jenë dominuese në të gjithë territorin e vendit. Situata meteorologjike do të vijojë e njëjtë në mbrëmje dhe gjatë natës.
Situata termike paraqitet duke sjellë një rënie të lehtë të temperaturave në vlerat maksimale.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 30 km/h ndërsa drejtimi i saj do të jetë sërish nga Perëndimi duke gjeneruar në det dallgëzim 1 apo 2 ballë.
Europa
Edhe nesër vendet nordike do të karakterizohen nga moti i paqëndrueshëm sidomos gjatë pjesës së parë të ditës pasi në orët në vijim vranësirat do të fillojnë të zhvendosen duke u përqendruar në vendet balltike ku do të gjenerojnë shira me intensitet të lartë. Situata do të vijojë e njëjtë në ishujt britanike si edhe në një pjesë të Europës Qendrore pasi vranësirat dhe shirat do të mbeten prezente në këto rajone por në pjesën e dytë të ditës ato do të zhvendosen drejt zonës së alpeve dhe në veri të Italisë ku do të gjenerojnë reshje shiu dhe dëborë. Situata meteorologjike do të paraqitet e favorizuar në pjesën lindore të kontinentit europian si edhe të gadishullit të Ballkanit ku moti i kthjellët do të jetë dominues.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ishujt britanike do të mbeten me shira të konsiderushme
- Polonia rrezikon reshje shiu dhe dëborë
- Zona e Alpeve alarmon reshje të dendura dëbore
a.y/NOA