Tiranë, 1 dhjetor 2011, NOA- Oborri i familjes së pretendentit për fronin mbretëror nëpërmjet një deklarate për mediat njofton se vazhdojnë ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Leka Zogut. Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, paraditen e sotme, familja e të ndjerit ka pritur ngushëllime të shumta me rastin e ndarjes nga kjo jetë të Lekës së Parë.
Qytetarë të shumtë dhe personalitete të jetës politike dhe shoqërore nga mbarë viset shqiptare, vizituan familjen e Leka Zogut ku takuan dhe të birin e tij Leka.
Gjatë paradites së sotme shprehën ngushëllimet e tyre: Gjeneral Daut Haradinaj, deputet në Parlamentin e Kosovës dhe mik i ngushtë i Familjes Mbretërore; N/Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë Ardian Turku; Ministri i Mbrojtjes Arben Imami; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral-Major Xhemal Gjunkshi; një grup deputetësh të Partisë Demokratike të kryesuar nga Deputeti Jemin Gjana; Deputetët e Partisë Socialiste Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani, Astrit Beci; Kryetari i PDIU-së, deputeti Shpëtim Idrizi i shoqëruar nga N/Kryetari Dashamir Tahiri; Kryetari i LZHK Dashamir Shehi; Prof. Abdi Baleta; At Nikoll Marku dhe shumë personalitete të tjera.
Sakaq, po ashtu, në adresë të familjes së të ndjerit ka mbërritur një numër i madh telegramesh ngushëllimi nga qytetarë dhe personalitete prej viseve shqiptare dhe Diasporës.
Familja e pretendentit të fronit mbretëror do të vazhdojë të presë vizita, ndërkohë që Ceremonia Zyrtare do të organizohet ditën e shtunë, ora 10:00-12:00 në mjediset e Parlamentit të Shqipërisë.
a.y/NOA