English

PS: Ditë zie kombëtare për Leka Zogun? Absurde

Tiranë, 30 Nëntor 2011 NOA – Partia Socialiste nuk ka bërë ndonjë deklaratë formale ngushëllimi për vdekjen e Leka Zogut i kurse sonte nënkryetari i grupit parlamentar socialist kritikoi vendimin e qeverisë për të shpallur të shtunën ditë zie kombëtare, në kuadrin e varrimit të të ndjerit.

Erjon Braçe përmes një deklarate publike sonte, shtron pyetjen se “për çfarë Familje Mbretërore flet Kryeministri Sali Berisha i një Republike Parlamentare?!”, në vijim të deklaratës bërë po sot nga kryeministri që e quante pretendentin për fron mbretëror si Mbret jo në detyrë.

“E ç’figurë mbretërore mund të quhet ai, kush e bëri vallë Mbret atë”, shtron pyetjen z.Braçe, citon agjencia e lajmeve NOA.al.

Kurse duke kritikuar vendimin e z.Berisha, tha se është e papranueshme që e shtuna të shpallet Ditë Zie Kombëtare.

Ndërkohë deputeti socialist kritikon edhe qëndrimin e Presidentit të Republikës: “Dhe Presidenti paska shkarë kur thotë: e vlerësoj për luftën e tij kundër komunizmit! Po ku e luftoi komunizmin ky? Jam shumë kurioz të na i thotë Presidenti!”, - thekson z.Braçe.

Reagimi erdhi pasi Presidenti Bamir Topi me një mesazh publik, vlerësoi figurën e pretendentit të fronit mbretëror, duke u ndalu në përpjekjet e tij për çështjen shqiptare dhe rrëzimin e sistemit komunist. “Leka Zogu I nuk reshti në asnjë çast duke punuar për rrëzimin e sistemit komunist”.

e.t/NOA

KOMENTE