Tiranë, 1 dhjetor 2011, NOA – Kur bota përballet ende me një numër në rritje të të sëmurëve me HIV/AIDS, sëmundja e shekullit, parandalimi i saj është në dorën e çdokujt.
Mbi 90 për qind të atyre që jetojnë me sëmundjen e shekullit rezultojnë ta kenë marrë sëmundjen nëpërmjet marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Kryeni marrëdhënie seksuale të mbrojtura, përdorni kondome, mos nisni marrëdhëniet seksuale në moshë të vogël, merrni gjak të sigurt apo mos përdorni shiringa të përdorura më parë për transfuzion gjaku”, janë këto këshillat që japin mjekët dhe ekspertët në luftën kundër SIDA-s.
Dita Botërore kundër HIV/AIDS përkujtohet edhe në Shqipëri me aktivitete të shumta sensibilizuese.
Sipas të dhënave të një raporti më të fundit të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik këtë vit janë diagnostikuar me SIDA, 65 raste të rinj, ndërsa numri total i personave të diagnostikuar me sëmundjen e shekullit ka mbërritur në shifrën 478 persona.
ISHP, bën me dije se ndër këta, 335 janë meshkuj dhe 143 janë femra.
Por, fakti që e bën ende më të fuqishme klithmën për ndërgjegjësimin e popullatës për këtë sëmundje, që vigjëlon duke marrë miliona jetë njerëzish në mbarë botën, është se Shqipëria është një nga vendet me shkallën më të ulët të ndërgjegjësimit ndaj kësaj sëmundjeje.
Në zonat rurale për fenomenin HIV/AIDS ende nuk ka ndërgjegjësim, nga vjen e si gjallon dhe mund të bëhet pjesë e jetës duke e shkatërruar atë.
Ekspertët e ISHP-së në vend thonë se që prej rastit të parë të diagnostikuar në vitin 1993, në Shqipëri është rritur ndjeshëm numri i persona të sëmurë me HIV/AIDS.
Ajo që mbetet është ndërgjegjësimi për parandalimin e sëmundjes së shekullit.
Ajo që shumëkush mund të bëjë është të mbrojë vetveten dhe të testohet pranë Qendrave të Këshillimit dhe Testimit për të njohur statusin e tij.
Një tjetër fatkeqësi, që vjen edhe nga padija, është se në Shqipëri ekziston një shkallë tejet e lartë e diskriminimit të të sëmurëve me SIDA apo atyre që janë në fazën HIV/AIDS.
Disa raste janë publikuar edhe në media, kur prindërit kanë kërcënuar mësuesit për heqjen e fëmijëve nga shkollat në rastet kur mes stafeve të nxënësve ka patur ndonjë të sëmurë.
Ka edhe një ligj për ndalimin e diskriminimit, por që si shumë ligje të tjera në vend, nuk zbatohet.
Andaj thirrja parandaluese për shumëkënd është: “Merrni masat mbrojtëse për t’u mbrojtur nga sëmundja e shekullit!
HIV/AIDS merret përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, përmes marrjes së gjakut me shiringa të përdorura si dhe transmetohet nga nëna tek fëmija.
Janë plot 14 fëmijë në vend që jetojnë sot me sëmundjen e shekullit.
mit/NOA