Tiranë, 1 dhjetor 2011, NOA/ Irma Toptani – Të shtunën, në 3 dhjetor Shqipëria do të jetë në ditë zie kombëtare, për të nderuar kujtimin e Trashëgimtarit të mbretit Zog, N.M.T. Leka i Parë, i cili jetoi një jetë të tërë në mërgim me idealin e palëkundur dhe moton e mbretit Ahmet Zog “Atdheu mbi të gjitha”.
Të shtunën të gjithë flamujt kombëtarë do të jenë të ulur në gjysmë shtizë dhe në mesditë do të mbahen një minutë heshtje, në rrugë, e kudo qoftë, sikundër parashikon edhe protokolli i shtetit për Ditën e Zisë kombëtare, ndërsa RTVSH do të transmetojë muzikë funebre.
Qeveria ngriti dje Komisionin Shtetëror, të kryesuar nga zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto, dhe të përbërë nga Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; si dhe një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar; një përfaqësues i protokollit të Shtetit; dhe një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ceremonia zyrtare e homazheve për të nderuar Trashëgimtarin e Fronit Mbretëror, Leka i Parë, i cili mbylli sytë përjetë mëngjesin e të mërkurës në Reanimacionin e Spitalit Neurokirurgjik të Tiranës, në moshën 72-vjeçare do të zhvillohet në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që i tërë ceremoniali do të përballohet nga fondet e buxhetit të vitit 2011 për MPJ-në.
Pas homazheve Trashëgimtari i Fronit Mbretëror, me uniformën e vet ushtarake siç e la amanet, do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve, pranë eshtrave të së ëmës mbretëreshës Geraldinë, dhe bashkëshortes së tij Suzanë, e cila ndërroi jetë në vitin 2006.
Vetë kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë, duke e nderuar Trashëgimtarin e Fronit Mbretëror Shqiptar, Leka i Parë si Mbretin e Shqiptarëve jo në detyrë, ashtu siç ai njihet në mbarë botën që prej shpalljes “Mbret i Shqiptarëve” në ekzil në vitin 1961, pas vdekjes së të atit, mbretit Ahmet Zog, deklaroi se Mbretit Leka I duhet t’i jepet lamtumira e fundit ashtu siç i takon një mbreti, edhe pse jo në detyrë.
Por duke iu referuar kësaj deklarate dhe për më tepër nderimit të Trashëgimtarit leka i Parë si një shqiptar i madh që punoi tërë jetën në mërgim për Shqipërinë dhe kundër komunizmit dhe sistemit totalitar që sundoi vendin për afro 50-vjet, pati edhe deklarata kundërshtuese nga eksponentë të PS-së.
Njëri syresh erdhi përmes Facebook-ut nga deputeti Erion Braçe, i cili nuk ka nguruar të shkruajë “Për ç'familje Mbretërore flet Kryeministri Sali Berisha i një Republike Parlamentare?! Ç'është kjo ditë zie, mo ditëzi!?”, shkruan deputeti Braçe.
Madje deputeti socialist iu përvesh edhe një prononcimi të Presidentit, duke thënë se: “Dhe Presidenti paska shkarë kur thotë: E vlerësoj për luftën e tij kundër komunizmit! Po ku e luftoi komunizmin ky? Jam shumë kurioz të na i thotë Presidenti!”, - thekson deputeti Braçe.
Por nuk duhet harruar fakti se Familja Mbretërore, edhe pse u largua nga Shqipëria dhe regjimi u përpoq ta syrgjynoste në faqet më të zeza të historisë kombëtare, nuk e humbi kurrë statusin e saj, të Familjes Mbretërore.
Ndërkohë shumë përfaqësues të tjerë nuk kanë nguruar të njohin vlerat patriotike të birit të mbretit Zog, Lekës së Parë , të cilin shumëkush që e njohu nga afër e njohu si njeri të pazakontë, atdhetar, një dishepull të shqiptarizmës kudo në botë dhe një pinjoll të vërtetë të Mbretërisë Shqiptare.
Trashëgimtari i Fronit Mbretëror Shqiptar, i cili jetoi një jetë të tërë në mërgim ia kushtoi tërë jetën Shqipërisë.
Ai nuk mundi ta njohë Shqipërinë, pasi iku prej saj foshnje dyditëshe, në momentin kur Shqipërinë e mësynë forcat e Italisë fashiste, për t’u rikthyer përgjithmonë vetëm në vitin 2002.
Arratia e Mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë bashkë me djalin e tyre të vetëm, princin Leka i Parë u shoqërua me një rrugë të gjatë në mërgim sa në një vend në tjetrin, ndërkohë që rikthimi në Atdhe ishte pas luftës i pamundur, pasi erdhën në pushtet forcat komuniste të drejtuara nga Enver Hoxha.
Por, përpjekjet e Familjes Mbretërore kanë qenë të shumta për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa në vend ndryshonte historia sipas oreksit të diktatorit, që jo vetëm pinjollët e të djathtës shqiptare, por edhe bijtë e vet i vrau e ekzekutoi për të mbajtur në këmbë një regjim monist e të kalbur fund e krye.
mit/NOA