Tiranë, 1 dhjetor 2011, NOA- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka ngushëlluar familjen e pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu, pas ndarjes së nga jeta në moshën 72 vjeçare.
Në mesazhin e saj Topalli shprehet se në kujtesën e shiptarëve Leka Zog do të mbetet shqiptari foshnje dyditëshe që la Shqipërinë dhe u rrit në dhe të huaj, por që u mëkua dhe u edukua me dashurinë dhe krenarinë për popullin, gjuhën dhe vendin e vet dhe mishëroi vlerat dhe virtytet më të mira të shqiptarëve.
“Në këtë ditë të rëndë, unë dëshiroj të ndaj me familjen e Madhërisë së tij Leka Zog dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të njeriut të dashur dhe me gjithë bashkëkombasit e mi hidhërimin e thellë për humbjen e një personaliteti.Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera unë dëshiroj të ndaj me Princin Leka dhe të gjithë anëtarëve të familjes mbretërore, si dhe me gjithë shqiptarët lutjen që shpirti i Leka Zog të prehet në paqe në tokën ku u lind”, përfundon Kryetarja e Kuvendit mesazhin e saj ngushëllues.
a.y/NOA