English

Trafikanti fshihej mes dy shteteve, tërheq në burg çiftin që e strehonte

Romë, 30 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një qytetar shqiptar përgjegjës për trafikim të substancave narkotike dhe i shpallur në kërkim prej afro një viti u vu në prangat e policisë italiane në qytetin e Romës, në sajë të një operacioni të mirë organizuar.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, i prangosuri është Buljan Hakani, 25 vjeç banues në Chieti, i cili u arrestua mëngjesin e sotëm në një vilë.

Mësohet se prej afro një viti Hakani fshihej mes Shqipërisë dhe zonës veriore të Italisë për tu shpëtuar prangave të policisë.

Një hetim këmbëngulës dhe i vazhdueshëm në bashkëpunim me Prokurorinë, bëri të mundur gjetjen e strehës ku shqiptari ishte fshehur.

Por mëngjesin e sotëm arratia e tij një vjeçare mori fund, pasi Hakani kishte arritur tu shpëtonte kontrolleve të policisë pasi përdorte një pasaportë bullgare të falsifikuar dhe me identitet të rremë.

Mësohet se 25 vjeçari shqiptar fshihej në një vilë në rrugën Anagnina në Romë, e cila përdorej si magazinë nga një shoqëri ndërtimi, ku jetonte së bashku me disa bashkëkombasit e tij, të cilët u përpoqën edhe këtë herë ta fshihnin, por pa rezultat.

Duke u saktësuar vendndodhja e të shumëkërkuarit, u arrestua edhe një çift shqiptarësh i cili e strehonte.

Sakaq i riu ndodhet në ambientet e burgut të Rebibbia ku pritet të vuajë edhe dënimin prej 9 vitesh burg të dhënë nga Gjykata e Chieti, raporton NOA.al.

Ndërkaq çifti që fshehu trafikantin e drogës janë në pritje të vendimit që do të japë drejtësia italiane.

a.y/NOA

KOMENTE