English

Vodhën pensionet e qytetarëve, pranga tre punonjësve të Postës Shqiptare

Vlorë, 1 dhjetor 2011, NOA – Përmes operacionit “Postieri” arrestohen për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit, tre punonjës të Postës Shqiptare, filialit të Vlorës, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.al.

Aksioni i policisë së Vlorës u finalizua në orët e vona të së mërkurës.

Pas një hetimi dymujor dhe kqyrjes e sekuestrimit të një numri të konsiderueshëm dokumentash zyrtare, të cilat shërbenin për shpërndarjen e pensioneve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, janë mbledhur provat e mjaftueshme për të akuzuar tre punonjësit e postës shqiptareVlorë, që kishin vjedhur pensionet e disa qytetarëve.

Tre të arrestuarit janë: Yllka Galip Gjondeda, 55 vjeç, banuese në Vlorë, punonjëse e zyrës postare (karteliste) “Vlora 1”, dyshohet se nëpërmjet falsifikimit të nënshkrimeve të 375 pensionistëve në listëpagesat e pensioneve dhe dublikimit të tyre, gjatë periudhës Maj – Shtator 2011 ka përfituar shumën prej 7 milion lekë (të reja), çka ka rezultuar nga dokumentacioni i sekuestruar në zyrat e Postës Shqiptare.

Bernard Baki Axhiaj, 24 vjeç, banues në fshatin Sevaster të Rrethit Vlorë, punonjës (arketar) në Zyrën Postare të Komunës Sevaster, nga muaji Shkurt 2010, deri në muajin Tetor 2011 nëpërmjet falsifikimit të nënshkrimit ka tërhequr nga Dega e Financës së Postës Shqiptare në emër të shtetases R. K., shumën prej 164.030 lekë(të reja), ndërkohë që kjo shtetase rezulton e vdekur në datë 20.11.2010.

Si dhe Osmen Ismet Sulaj, 42 vjeç, banues në fshatin Lubonjë, punonjës i Zyrës Postare në Komunën Vllahinë të Rrethit Vlorë, ka përvetësuar shumën prej 72.000 lekë (të reja) në emër të shtetasit I. B., (pensionet e paaftësisë dhe kujdestarisë për dy fëmijët e tij të sëmurë) për muajt Prill dhe Maj 2011, duke falsifikuar firmën e shtetasit I. B., në borderotë e shpërndarjes së pensioneve.

Tre punonjësit e Postës Shqiptare janë nën akuzë për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentash.

Ndërkohë policia e Vlorës vijon hetimin për sqarimin e plotë të rrethanave të këtyre rasteve dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

mit/NOA

KOMENTE