Tiranë, 2 dhjetor 2011, NOA - Këtë fundjavë AMC nis fushatën e re të komunikimit për festat e fundvitit nën moton “A besoni në surprizat e Vitit të Ri”. Kjo fushatë do të ketë si imazh artisten e mirënjohur Mariah Carey. Fushata e komunikimit në fjalë, nuk përbën vetëm një zhvillim përsa i përket përdorimit si imazh të një këngëtareje të nivelit ndërkombëtar por edhe sepse është fushata e parë e përbashkët midis AMC dhe Deutsche Telekom.
Në fushatën e re Mariah Carey do të jetë imazhi i AMC për festat e fundvitit dhe do të urojë shqiptarët për festat. “Uroj të gjithë admiruesit e mi në Shqipëri!” thotë ajo në videon e reklamës së re. Jo vetëm kaq por ajo do të tregojë se si teknologjia ndihmon në jetën e përditshme. E pyetur për këtë eksperiencë të re, ajo pohon se për të është nder përfshirja në një projekt jashtëzakonisht modern që bashkon njerëzit nga e gjithë bota. Këngëtarja, ikonë e muzikës së festave të fundvitit, bëhet ambasadorja e mesazhit të ndarjes së emocioneve mes njerëzve. Mariah Carey është një nga këngëtaret më të suksesshme ndërkombëtare, e cilësuar nga MTV si zëri numër një në botë. Falë talentit të jashtëzakonshëm, ajo ka shitur rreth 200 milionë albume në mbarë botën dhe është gjithashtu fituese e pothuaj çdo çmimi muzikor, përfshirë 5 Grammy Aëards.
Nisma e Deutsche Telecom për të realizuar këtë fushatë komunikimi të përbashkët edhe me AMC e bën tregun shqiptar të telekomunikacionit dhe të marketingut pjesë e një përvoje ndërkombëtare gjatë festave të fundvitit. Deri më tani, në kuadër të kësaj nisme, janë organizuar një sërë koncertesh në Europë përmes teknologjisë holografike, ku mijëra fansa kanë ndjekur drejtpërdrejtë në të njëjtën kohë imazhin virtual të Mariah Carey.
Përmes fushatës “A besoni në surprizat e Vitit të Ri”, AMC do t’i afrohet publikut shqiptar me një sërë dhuratash e të papriturash.
a.q/NOA