English

Demonstrata e 21 janarit, Ina Rama rinis marrjen në pyetje të organizatorëve

Tiranë, 1 Dhjetor 2011 NOA – Prokuroria Shqiptare ka rinisur marrjen në pyetje të emrave të opozitës aktuale, si organizatorët e demonstratës së zhvilluar më 21 janar, një tubim i cili nga krerë opozitarë publikisht u paralajmërua se do të dilte jashtë kontrollit dhe në të vërtetë degjeneroi në dhunë ndaj policisë dhe institucioneve të shtetit.

Pasi thirri Tom Doshin, deputetin e PS nga Shkodra, një biznesmen i njohur në veri, e po ashtu kreun e PLD, Spartak Ngjela, një i djathtë ish përkrahës i Berishës dhe aktualisht pranë Edi Ramës, i shquar për nota tejet ekstremiste para dhe pas 21 janarit tragjik, sot organi i akuzës ka thirrur dhe marrë në pyetje për të paktën një orë, deputetin tjetër socialist Saimir Tahiri.

Faktin se dëshmoi sot në Prokurorinë e rrethit të Tiranës, në cilësinë e dëshmitarit të ngjarjes, e pranoi edhe Saimir Tahiri sikundër në fund të këtij raportimi mund të ndiqni prononcimin e tij të plotë në video.

Tahiri tha se “me kërkesë të prokurorëve unë u paraqita në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar në lidhje me gjithçka dija për protestën e 21 janarit”.

Ai tha se u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve që po hetojnë ngjarjen e 21 janarit, në të cilën humbën jetën 4 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.

Pas daljes nga zyrat e Prokurorisë deputeti Tahiri lidhur me atë se çfarë ishin të interesuar prokurorët të dinin prej tij tha se: “Prokurorët ishin të interesuar në lidhje me detajet që kishin të bënin me organizimin e protestës dhe protestuesit që qëlluan ndaj forcave të rendit me gurë”.

Z.Tahiri ka treguar edhe versionin e tij të asaj çka i ka thënë mes të tjerash prokurorëve: “Unë u thashë atë që pashë, se nxitësit e vërtetë të asaj që ndodhi nuk ishin nga ana e protestuesve, por ishin nga ana e atyre që duhet të mbronin institucionet por njëkohësisht kishin detyrimin të mbronin edhe qytetarët”.

Deputeti socialist theksoi gatishmërinë e opozitës për të dhënë kontributin e saj për hetimet, ndërsa akuzoi autoritetet për mungesë vullneti për zbardhjen e ngjarjes.

Thirrja e Tahirit për t’u marrë në pyetje vjen në të njëjtën ditë me deklaratën e zonjës Ina Rama nga Brukseli ku ndodhet ku tha se ai që e cilësoi tubim i paligjshëm i 21 janarit po hetohet më qetësisht dhe më lehtësisht tani që klima politike është zbutur në Shqipëri mes mazhorancës dhe opozitës.

Në këtë deklaratë të shkurtër që Ina Rama dha, dukshëm gaboi dy herë: Së pari e konsideroi demonstratën e 21 janarit si një tubim të paligjshëm. E vërteta është se tubimi u krye me leje të dhënë nga Policia e Tiranës, konform kërkesës rutinë të bërë nga PS e qytetit Tiranë.

Së dyti, Ina Rama gaboi kur tha se hetimet tani bëhen më të lehta pasi është zbutur klima politike. Këtu zonja Rama tregoi hapur ndikimin politik dhe kjo sigurisht bie ndesh me ligjet e shtetit që përcaktojnë qartë se institucioni që ajo drejton është i pavarur nga politika.

Ndërkohë ende nuk ka asnjë sinjal zyrtar nga prokuroria nëse do të thirret dhe kur do të merret në pyetje Edi Rama, si kryeorganizator i demonstratës së 21 janarit.

e.t/NOA

Shikoni këtu, si nisi dhuna tek demonstrata e 21 janarit 2011

KOMENTE