English

Falsifikime për azil politik, në hetim krerët e Pajtimit të Gjaqeve

Tiranë, 2 dhjetor 2011, NOA- Policia e kryeqytetit ka dërguar në Prokurori materialet për hetim, për shfrytëzim pozicioni ndaj Kryetarit të Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve dhe një anëtari të shoqatës.

Burime zyrtare nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA.al, se Gjin Marku, 55 vjeç banues në Tiranë, me detyrë Kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve me qendër në Tiranë dhe Pashko Popaj, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, anëtar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër, dyshohen se duke shfrytëzuar pozicionin në shoqatat e mësipërme kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara për persona të ndryshëm, që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azilin në vende të ndryshme të Europës.

Mësohet se nga informacionet e grumbulluara dhe verifikimet e kryera në vazhdimësi nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policitë homologe, ka rezultuar se personat e sipërpërmendur kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara dhe pa asnjë bazë ligjore edhe pse shtetasit e interesuar nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje.

Sakaq nga ana e policisë vijon puna për hedhjen dritë mbi ngjarjet dhe rastet ku dy të sipërpërmendurit janë përfshirë dhe pritet që ata të përballen me akuzat për “Falsifikim dokumentesh”.

a.y/NOA

KOMENTE