Amshimi për të pavdekshmit, turpi për të vdekshmit që “jetojnë “.Deri sa Prishtina ishte veshur e tëra Kuq e Zi, në Akademinë solemne për Hasan Prishtinën ndaj Adem Demaçit luhej një lojë Faq e Zi
Nga Behxhet Sh. Shala
Kuq e zi- zi e kuq, jo të gjithë nën një kapuç: Festat e nëntorit ikën. Me to edhe e tërë ikonografia manipulative dhe e improvizuar. Dita e Tregtisë së Madhe me Flamuj. Për përfitime politike dhe materiale. Spekulantët e bursave politike e bënin për përfitime politike ndërsa tregtarët ambulantorë e bënin për përfitime thjesht materiale. Për të siguruar kafshatën e gojës për familjet e tyre. Edhe politikanët e bënin këtë për të “ siguruar “ kafshatën e gojës për familjet e tyre, farefisin e tyre, fshatin e tyre, partinë e tyre për së paku 100 vjet tjera. Sepse, nuk i dihet jetës. Për dallim nga shitësit ambulantorë, politikanët e kishin fytin e thellë sa oqeani Atlantik. Të pangopshëm fare. Në situata të shpërthimit “ patriotik “, aktorë dhe aktorë janë kryesisht persona të identifikuar dhe të certifikuar si ata që kanë monopol mbi patriotizmën dhe shqiptarizmën. Ata që e bëjnë klasifikimin apo sortimin në patriotë dhe tradhtarë. Ata që të fusin nën sqetullat e shqiponjave të rreme të Shqipërisë nënë apo të katapultojnë në “ bisht të sorrës “, si tradhëtarë të kombit. Ishte intersant fakti se si bëheshin krahasime dhe gara se a më mirë ishte festuar Dita e Flamurit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Luginën e Preshevës në ndërkohë që ushtarët e KFOR-it përgjakeshin nga bandat kriminale serbe në veri të Kosovës për të siguruar lirinë e lëvizjes edhe për kosovarët e Nexhit dhe të Halilit, në kohën kur shqiptarëve të Luginës së Preshevës u mohoheshin të drejtat elementare njerëzore dhe kombëtare dhe në të njëjtën kohë kur shovinistët maqedonas po bëjnë përpjekje që tërë Maqedoninë ( me më shumë se 35% shqiptarë ) ta shndërrojnë në një kishë të madhe ortodokse maqedonase. Askush nuk pati guxim që flamujt me përmasa gjigande apo flamujt e tjerë me dimensione të mëdha t’i shpalos në pjesën veriore të Kosovës, te “ Molla e Kuqe “, në ” Kosovën lindore “, në majat e Deviqit të Dedë Xho Lulit apo në Zajasin e Xhemë Gostivarit. Për shkaqe logjistike dhe mbase edhe ekonomike më mirë ka qenë të mbulohet New Born, të vendoset afër përmendores ë Zahir Pajazitit apo të fasadohet Hani i Jakup Krasniqit. Duket se ky përqëndrim patriotësh në Prishtinë u bë në një territor po aq të madh sa kishte Ismail Qemali kur e shpalli pavarësinë në Vlorë. Pati edhe deklarata të analistëve, politikanëve, kalimtarëve të rastit, baballarëve të patriotizmës shqiptare dhe promotorë të kombit hibrid kosovar. Disa thonin se kjo është festa e gjithë shqiptarisë, të tjerët donin ta festonin 29 nëntorin si dashamirë dhe fansa të Titos dhe Jugosllavisë. Fansat e Titos dhe Jugosllavisë, për të mëshehur urrejtjen ndaj Shqipërisë dhe flamurit kombëtar, po dalin si “mbrojtës” ( deri në gotën e fundit ) të pavarësisë së Kosovës, flamurit dhe kombit kosovar. Kishte të tillë që deklaronin se ne nuk duhet ta festojmë Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë kur ata ( Shqipëria ) nuk po e festuaka ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ( dhe Metohisë ). Edhe unë isha pjesë e kësaj loje dhe ploje. Së pari qëndrova për 20 minuta në kinemanë ABC ku Aleanca Kuq e Zi i bashkoi të gjitha trojet shqiptare. Pastaj shkova në përurimin e përmendores së Hasan Prishtinës e cila ishte paraparë të bëhej në oborrin e Klubit 8000 Euro në Muaj apo siç është quajtur më parë Rektorati i Universitetit të Prishtinës.
Vrasja e dytë e Hasan Prishtinës në Sallën e Kuqe: Hasan Prishtina nuk është vetëm një emër dhe mbiemër por është një kuptim, një përmbajtje, një porosi dhe një trashëgimi e vlerave njerëzore, kombëtare, demokratike, morale dhe liridashëse. Ishte, është dhe do të jetë themel i themelit të lirisë së shqiptarëve dhe pavarësisë së Shqipërisë. Mbeti shembull i sakrificës, vetëmohimit, moralitetit, integritetit, guximit dhe shkrirjes së pasurisë personale për interesa kombëtare. Në politikë hyri si njeri i pasur ndërkaq u vra si njeri i varfër. Ai ishte baba i irredentizmit dhe luftëtar i palëkundur për bashkimin e trojeve shqiptare. Për këtë arsye u vra nga vrasësi masiv i patriotëve shqiptarë, mbreti Ahmet Zogu. Cubat e këtij mbreti të veshur si xhandarë dhe të paguar nga buxheti i Serbisë përkatësisht nga Nikolla Pashiq e vranë këtë politikan të papërsëritshëm siç i vranë edhe bashkëluftëtarët dhe bashkëmendimtarët e tij. I dënuar 6 herë me vdekje, tri atentate kundër tij, me burg dhe syrgjynosje nuk mund të përfundonte ndryshe. Ate që e tha Hasan Prishtina në Parlamentin e Turqisë sot nuk e kanë guximin ta thonë kalimtarët e rastit, të çastit, të “ zgjedhur “ edhe me votë të vjedhur deputetët në Hanin e Jakup Krasniqit. Ishte paraparë që në Sallën e Kuqe të Fakultetit Filologjik të mbahet një Akademi kushtuar Hasan Prishtinës para se të zbulohej përmendorja e këtij patrioti të papërsëritshëm. Kjo Akademi u shndërrua në një Simpozium për promovimin e personave që më së paku ndërlidheshin me personalitetin e Hasan Prishtinës. Ishte varianti akademik i Ditës së Shitjes së Madhe të Flamujve. Tash shitej kryesisht injoranca dhe dëshira për promovim personal apo bëheshin përpjekje për kompensim të ndjenjës së inferioritetit nga e kaluara kur mund të kishin qenë çdo gjë tjetër por jo edhe përkrahës së ideve të Hasan Prishtinës. Përjashtuar disa raste. Njëri prej tyre foltoren e kësaj Akademie e shndërroi në kuzhinë popullore duke i ekspozuar lugët, pirunin, thikat dhe gjësendet e tjera si vlera të Hasan Prishtinës. Nuk e kuptoj atë dëshirë, atë gjakim që me çdo kusht të dalësh para foltores edhe në rast se nuk e ke vendin, rendin, edhe në rast se kur nuk ke çka të thuash. Kishte aty komandantë të kriminalizuar dhe të korruptuar, politikanë titistë dhe patriotë të deklasuar, asi që na dënonin, gjykonin, diferenconin, fusnin në burgje dhe na ngulnin në kunje, asi që kishin dëgjuar për emrin e Hasan Prishtinës pasi që tërë jetën i kishin shërbyer Milloshit të Jagodinës. Për të vazhduar loja dhe ploja u shfaq një film dokumentar për Hasan Prishtinën. Tmerr artistik dhe masakrim politik. Sikur ta kishte shkruar skenarin shoku Muho Asllani, karrocieri më i mirë dhe anëtarë i devotshëm i Politbyrosë së Partisë së Punës dhe shoqja Lenka Quko, mjelëse e dalluar dhe gjithashtu anëtare e Politbyrosë së Partisë së Punës. Më pastaj fjalën e mori Kryefitimtari apo Alibaba i Klubit 8000 Euro në Muaj. Mendova se Adem Demaçi ( për politikanët ) apo Baca Adem për idealistët ( budallenjt ) nuk kishte ardhur fare sepse askush nuk e përmendi. Po të mos ta kishin përshëndetur Rambujeja dhe Memli Krasniqi, as që do të dija se Baca Adem është i pranishëm në këtë Akademi. Folën e ç’nuk folën, u gjeldetën dhe u përshëndetën, u lavdëruan dhe u turpëruan, të pispillosur dhe të sikletosur por mbase për kombin ishin shumë të brengosur dhe e përfunduan Akademinë solemne pas së cilës me truproja, para-roja dhe pasroje shkuan dhe e zbuluan përmendoren e të Papërsëritshmit Hasan Prishtina. Në oborrin e Alibabës me 8000 Euro në Muaj. Nën dirigjimin e Alibabës me 8000 Euro në Muaj. Me të njëjtin kortezh mortor. Si në Akademinë solemne.
Po të ishte organizuar një Akedami vërtet kushtuar Hasan Prishtinës e jo promovimeve personale apo shpërndarjes së injorancës intelektuale dha patriotizmit patetik dhe folklorik atëherë fjalën kryesore do të duhej ta kishte Adem Demaçi sepse ky është vërtet një vazhdimësi e gjenetikës patriotike, demokratike dhe politike të Hasan Prishtinës. Me jetën dhe veprën e tij. Me burgjet e tij. Një Akademi e tillë nuk do të kishte kuptim pa fjalën e Adem Demaçit. Njeriu i parë i cili do të duhej të shihte përmendoren e Hasan Prishtinës do të duhej të ishte Hasan Prishtina i riinkarnuar në personalitetin e Adem Demaçit. Do të duhej të llogaritej i marrë dhe i lig ai që e ka përpiluar përmbajtjen e aktiviteteve për këtë Akademi solemne duke përjashtuar Adem Demaçin nga programi. Është shumëfish më i marrë dhe më i lig ai i cili e ka miratuar përmbajtjen e programit të kësaj Akademie. Duke e përjashtuar Adem Demaçin.
Shqiptarët kanë qenë dhe janë armiqtë më të mëdhenj të vet shqiptarëve. Ata janë përgjegjës për arrestimin e tyre, torturimin, gjykimin dhe dënimin e tyre. Atdhetarët më të shquar shqiptarë janë vrarë nga vet shqiptarët. Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi, Hasan Prishtina, Haxhi Zeka dhe shumë të tjerë u vranë nga shqiptarët. Edhe për vrasjen e Gjeniut të Mendimit Politik, Ukshin Hoti përgjegjës janë shqiptarët. Edhe Adem Demaçi figurativisht dhe simbolikisht u vra shumë herë nga shqiptarët. Figurativisht dhe simbolikisht u vra edhe Gjeniu Lasgush Poradeci. Patriotët shqiptarë vlerësohen dhe trajtohen si të tillë vetëm pasi të vdesin apo të vriten. Vetëm pasi të kalojnë shumë vite dhe vetëm pasi shqiptarët të pësojnë goditje të shumta.
Duket se edhe fati i Adem Demaçit do të jet i tillë. Ai do të vlerësohet sikur Hasan Prishtina, 99 vite pas vdekjes së tij.
Krejt në fund. Sepse, deri sa Prishtina ishte veshur e tëra Kuq e Zi, në Akademinë solemne për Hasan Prishtinën ndaj Adem Demaçit luhej një lojë Faq e Zi.