Tiranë, 2 Dhjetor 2011 NOA – Dalja e Katjushës, femrës DJ nga Ukraina në emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arian Çani, gjysmë e zhveshur ka shkaktuar reagimin e Këshillit Kombëtar për Radiot dhe Televizionet. Ankesa vjen pasi dalja topless e Katjushës u krye gjatë fashe orare para mesnate ku audienca familjare dhe e moshave më të vogla është e pranishme, gjithsesi në emision ishte vënë shenja paralajmëruese që ndalonte shikimin e sekuencave nga moshat nën 16 vjeç
KKRT-ja përmes një komunikimi sot për shtyp tha se ka vizionuar (monitoruar) emisionin “Zonë e Lirë”, të transmetuar në TV Klan, më 25 nëntor 2011 prej orës 21.05 të kësaj date deri në 01.15 të mesntaës. Vizionimi u ndërmor nga Drejtoria e Programeve në KKRT, konform detyrave funksionale të parashikuara në ligj pas ankesave të shumta të mbërritura nga qytetarët.
Nga ky vizionim i detajuar u vu re se gjatë programit janë shkelur normat morale dhe etike të transmetimeve televizive.
Neni 36, i ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, përcakton se: “Programet radiotelevizive publike dhe private respektojnë dinjitetin vetjak dhe të drejtat themelore të njeriut, ... të drejtat e fëmijëve dhe të adoleshentëve... gjuhën dhe kulturën shqiptare...”.
Nisur sa më sipër, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, konstaton sa vijon:
Në emisionin “Zonë e lirë”, janë cënuar rëndë normat morale dhe etike të komunikimit televiziv.
Përmbajtja, pamjet, koha e transmetimit, gjuha, gjestet dhe fjalori i përdorur në një pjesë të konsiderueshme të këtij emisioni cënojnë të drejtat, edukimin dhe shëndetin moral e mendor të fëmijëve dhe moshave të reja.
Nëpërkëmbja e Kodit të Etikës dhe vlerave morale, në mënyrë të përsëritur dhe këmbëngulëse nga drejtuesi i emisionit “Zonë e lirë”, z. Arian Çani, bie ndesh me kërkesat e ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998, “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, konkretisht me nenin 36, të cituar më lart.
KKRT i tërheq vëmendjen drejtuesit të emisionit, lidhur me shkeljet e sipërpërmendura dhe njëkohësisht i kërkon subjektit televiziv TV KLAN të merren masat në vijim për respektimin e normave morale e etike si dhe të standardeve të komunikimit në të gjithë programet e transmetuara televizive.
e.t/NOA
Videointervista e plotë e Katjushës
Pamjet nga performanca e Katjushës, ndalohet nën moshën 18 vjeç: