Strasburg, 2 dhjetor 2011, NOA- Këshilli i Europës nëpërmjet një raporti të grupit të ekspertëve mbi masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore, i njohur si GRETA ka publikuar raportin e parë të vlerësimit për Shqipërinë.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, në këtë raport thuhet se autoritetet shqiptare duhet të kushtojnë vëmendje në rritje për problemin e trafikimit në Shqipëri, pasi ai është në rritje.
Më tej theksohet se në vendin tonë ka pasur fushata të shumta për rritjen e ndërgjegjësimit, ndërsa më shumë të tjera duhet të bëhen për të luftuar stereotipet dhe paragjykimet ndaj grupeve të margjinalizuara, të cilat nxisin trafikimin dhe parandalojnë riintegrimin e viktimave.
Sakaq në raportin e KiE, vihen në dukje masat e rëndësishme të marra nga autoritetet shqiptare për të parandaluar dhe luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.
Gjithashtu, u kërkohet autoriteteve shqiptare të shtojnë hapat e ndërmarrë për të nxitur arsimim dhe punësim për anëtarët e grupeve vulnerabël ndaj trafikimit.
Sipas këtij raporti, vëmendje e posaçme duhet t'i kushtohet përmirësimit të bashkëpunimit me vendet e destinacionit në lidhje me riatdhesimin e viktimave.
Përveç kësaj, GRETA u kërkon autoriteteve shqiptare që të forcojnë masat për mbrojtjen e viktimave të trafikimit, duke marrë në konsideratë situatën e veçantë të viktima fëmijëve, pavarësisht nëse ato kanë rënë dakord apo jo që të marrin pjesë në procedurat gjyqësore.
Siç informon NOA.al, në raportin e KiE kërkohet nga autoritetet që të ndërmarrin hapa për t’u siguruar që legjislacioni në lidhje me konfiskimin e të ardhurave nga veprat penale të trafikimit të zbatohet dhe se viktimat e trafikimit mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për kompensim.
Mësohet se një draft i parë konfidencial i raportit iu dërgua autoriteteve shqiptare dhe komentet e tyre janë marrë parasysh në raportin përfundimtar të vlerësimit të miratuar nga GRETA.
a.y/NOA