Tiranë, 1 dhjetor 2011, NOA - Shqipëria shënon hapa prapa, duke u renditur e 95-ta në botë mes 183 vendeve të tjera për shkallën e korrupsionit, raportoi sot agjencia e lajmeve NOA.al. Ka qenë “Transparency International Albania” që ka publikuar këtë raport të fundit, sot në mesditë duke bërë me dije se Shqipëria ka bërë hapa prapa sa i përket korrupsionit duke lënë pas vetes vetëm Kosovën. “Shqipëria ka shënuar një ulje prej 8 vendesh në vitin 2011, dhe vlerësohet me 3.1 pikë, ndërkohë që në vitin 2010 kishte 3.3 pikë sa i takon indeksit të perceptimit të korrupsionit”, deklaroi TIA, duke preçizuar se Shqipëria është në vendin e parafundit në rajon sa i përket perceptimit të korrupsionit duke lënë prapa vetëm Kosovën. Sipas TIA-s Bosnja nuk ka pësuar ndryshime në renditje, Mali i Zi ka shënuar përparim, kurse Serbia dhe Maqedonia kanë bërë hapa prapa. Edhe këtë vit, thekson TIA, Kosova renditet e 112-ta ndërmjet 183 shteteve të tjera, mes tyre edhe Egjipti, Moldavia, Senegali, Vietnami, Algjeria. TIA nënvizon se Kosova është vlerësuar me 2.9 pikë duke u renditur më poshtë se vendet e tjera në raportin për shkallën e korrupsionit. “Transparency Internacional Albania” thotë se ndërsa Shqipëria ka zënë vendin e 95-të, Kroacia e Mali i Zi janë në vendin e 66-të, Maqedonia në të 69-tin, Serbia është në vendin e 86-të dhe Bosnje e Hercegovina në vendin e 91-të.
TIA: Hiqni imunitetin, luftoni korrupsionin Në këtë kornizë perceptimesh e analizash, TIA u bën apel agjensive zbatuese të ligjit të angazhohen nëmënyrë rigoroze në implementimin e tij, si dhe retorikat e angazhimet politike të përkthehen në reforma serioze në qeverisjen e vendit. "Beteja anti-korrupsion duhet të vijojë të jetë në qendër të axhendës së qeverisjes si kusht themelor për proceset integruese në Bashkimin Europian." nënvizon TIA duke kujtuar se heqja e imuniteteve për zyrtarë të lartë, deputetë, ministra, prokurorë e gjyqtarë do t'i vendoste realisht të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kultura e pandëshkueshmërisë duhet luftuar me cdo mjet.
Kriza, rritet korrupsioni në Itali e Greqi
Italia dhe Greqia janë përfshirë në listën e vendeve të eurozonës me korrupsion më të lartë. “Ata kanë vlerësimin më të ulët në renditjen e vendeve të eurozonës, si paaftësi e tyre për të luftuar marrjen e rryshfetit dhe evazionit fiskal, i përkeqësuar për shkak të krizës së borxheve.” deklaroi grupi mbikqyrës i Transparency International. Italia renditet e 69-ta ndërsa Greqia e 80, nga vendet e 67 dhe 78 që kanë pasur një vit më parë.Në nivel global, Danimarka zë vendin e parë duke u pasuar nga Zelanda e Re, Singapori e Finlanda. Ndërsa në vend të fundit janë renditur Afganistani, Somalia, Korea Veriore dhe Birmania.