Për ta bërë programin fitues, duhet ta bëjmë në radhë të parë atë axhendën tonë të përbashkët. Duke i bërë të gjitha axhendat personale pjesë të axhendës së përbashkët. Programin do ta mbushim me shpirtin e një familjeje politike që ngroh shpirtrat e shqiptarëve të sfilitur nga padrejtësitë dhe cinizmi i politikës së gënjeshtrave të mëdha dhe të llogarive të vogla
Ndiqni fjalimin VIDEO
Nga Edi Rama
Lejomëni t’ju uroj secilit dhe secilës ndër ju sukses të përbashkët në misionin e kësaj Asambleje të re. Me të sapozgjedhurit nga Kongresi i 5 nëntorit u paratakuam për një bashkëbisedim lidhur me rolin dhe me detyrat e Asamblesë Kombëtare dhe çdo të zgjedhuri si pjesë e saj. Sot takohemi në mbledhjen përuruese të këtij forumi të lartë, ku do të zgjedhim kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Kryesinë e re të partisë dhe Sekretariatin e ri ekzekutiv të partisë. Kjo është një asamble më e gjerë se e mëparshmja, është asambleja e betejës së ardhshme zgjedhore. Është asambleja që do të çojë derë më derë dhe dorë më dorë Programin e ri të Partisë Socialiste. Është asambleja që do të jetësojë reformën e re organizative të partisë. Si e tillë kjo do të jetë asambleja e punës me territorin. Çdo anëtar e anëtare e saj duhet ta kuptojë praninë e vet në këtë forum kaq të gjerë në radhë të parë si një angazhim të përbashkët për të qenë pranë çdo organizate socialiste dhe çdo komuniteti nga Veriu në Jug, nga Bajram Curri në Konispol.
Formula e përzgjedhjes së atyre që kanë ardhur në këtë forum me votën e Kongresit përmes një liste të hapur kombëtare nuk ishte më e mira e mundshme për të garantuar proporcionalitet të plotë të përfaqësimit territorial edhe pse përgjithësisht zonat e vendit janë të mbuluara me një prani të shtuar të deleguarish prej këtij forumi të lartë të partisë. Dua ta theksoj fort këtu sot dhe ky do të jetë theksi i çdo mbledhjeje dhe i të gjithë aktivitetit të asamblesë që fjalëkyçi i punës së Asamblesë Kombëtare dhe i çdo anëtari e anëtare të saj deri ditën e përfundimit të numërimit të votave të shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është territori.
Kam fillimisht dy propozime për të bërë sot lidhur me krijimin e kushteve për të mbuluar plotësisht dhe sa më cilësisht territorin. Së pari, në mbledhjen e ardhshme të bëjmë një numër shumë të kufizuar, por të nevojshëm kooptimesh në Asamblenë Kombëtare nga disa pak zona periferike për të plotësuar forcat me mandatin e përfaqësimit të këtij forumi edhe në disa pika ku siç e thashë formula e zgjedhjes së asamblesë me një listë kombëtare të hapur ka lënë ndonjë boshllëk. Së dyti, shumë më e rëndësishme të miratojmë sot ngritjen e një Komiteti të Përfaqësimit Territorial. Këtë komitet e kuptoj si një strukturë të Asamblesë Kombëtare që duhet t'i shërbejë partisë dhe të ndihmojë kryetarin e saj, jo vetëm sot në opozitë, por edhe nesër në qeverisje si një strukturë e lidhur drejtpërsëdrejti me territorin dhe me problematikat e realiteteve të ndryshme të vendit përtej kufijve të kryeqytetit dhe përtej mureve të parlamentit.
Nuk është një shpikje “sui generis”, por një adaptim shumë modest i një forumi të njohur të konservatorëve anglezë që është marrë si model dhe është adaptuar nga disa parti të ndryshme në Europë dhe në botë. Është një forum që iu jep zë në mënyrë sistematike, në prani të kryetarit të partisë në opozitë, apo të kryeministrit në qeverisje, të gjitha shqetësimeve të një përfaqësie të deputetëve që nuk janë pjesë e kryesisë kur partia është në opozitë apo pjesë e qeverisë kur partia është në pushtet. Është hallka që nuk lejon shkëputjen e drejtuesit më të lartë apo të krejt forumit drejtues ose ekipit qeverisës nga realiteti i territorit, përmes krijimit të një lidhjeje simetrike me drejtuesin e partisë ose të qeverisë njësoj si kryesia apo qeveria. Është momenti për ta konsideruar aprovimin e një strukture të tillë dhe për t’i dhënë asaj bashkarish jetë, formë, përmbajtje, duke e kthyer në një forcë të shtuar që e mban drejtuesin dhe kryesinë e partisë, apo qeverinë nesër, me këmbë në tokë.
Po ashtu ju kërkoj të miratoni sot krijimin e një Këshilli Politik të Partisë. Një strukturë këshillimore e njerëzve më me përvojë, thënë ndryshe ajo që hera herës është kërkuar si një këshill të urtësh. Ky këshill duhet të institucionalizohet dhe mblidhet sistematikisht në prani të kryetarit të partisë, domosdoshmërisht, dhe të tjerë përfaqësues të partisë sipas rastit dhe nevojës për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar. Në kushtet kur më shumë se asnjëherë është e domosdoshme një sinergji e re dhe sa më e plotë me sa më shumë protagonistëve të jetës së kësaj partie, nga më të moshuarit tek më të rinjtë. Besoj se protagonizmi në vijueshmërinë e jetës së partisë, qysh nga lindja deri sot, si edhe rolet e larta drejtuese në parti e në qeveri dhe eksperienca e gjatë si anëtarë të organizatës sonë përbën një kriter të arsyeshëm për ta formësuar këtë këshill politik. Pavarësisht se disa prej anëtarëve të tij mund të jenë sot në një aktivitet të reduktuar, ndërkohë që disa të tjerë janë në aktivitet të plotë politik dhe publik.
Në Këshillin Politik të partisë sonë unë propozoj të jenë:
Ylli Bufi
Panedeli Majko
Arta Dade
Et’hem Ruka
Luan Hadaraga
Bashkim Zeneli
Siç e thashë i bashkohen këtij këshilli sipas rastit dhe çështjeve për diskutim edhe të tjerë, anëtarë kryesie, deputetë, të zgjedhur vendorë dhe gjithmonë domosdoshmërisht kryetari i partisë.
Përpara sesa të kaloj më tutje më lejoni që sipas detyrës të propozoj fillimisht si kandidat për kryetar të kësaj Asambleje Kombëtare mikun dhe shokun tonë dhe bashkëpunëtorin më të palodhur timin dhe tuajin Gramoz Ruçin. Në rast se ka një apo më shumë kandidatura të tjera, le të propozohen në fund të kësaj fjale dhe në të gjitha rastet kandidatura e Gramozit të kalojë normalisht procedurën e votimi të fshehtë, ashtu si çdo kandidaturë e të katër fletëve të votimit të sotëm; për kryetarin e ri të Asamblesë Kombëtare; për gratë që do të jenë anëtare të Kryesisë së re; për burrat që do të jenë anëtarë të Kryesisë së re; si edhe për sekretarët që do të zgjidhen në sekretariatin e ri ekzekutiv.
Sot do të kemi edhe një risi që jam i bindur që do të kthehet në traditë në zgjedhjet brenda forumit të kësaj partie, numërimin elektronik. Duke ju njohur sigurisht gjithkujt të drejtën e rinumërimit manual për të verifikuar votat e veta në rast dëshire dhe për çfarëdo arsye të një apo më shumë personash. Procesi i numërimit mund të ndiqet live nga të gjithë, përfshirë edhe publikun, përmes një ekrani ku në kohë reale do të afishohet ecuria e rezultatit dhe në fund do të dalë përfundimi me numërim e votave për gjithsecilin. Shpresoj që kjo provë e parë të jetë edhe me fat dhe të mos hasim probleme teknike gjatë procesit. Duke dhënë, kështu, jo vetëm një shembull të paparë më parë të transparencës së votimit në një parti politike shqiptare, por dhe një shembull të qartë për vlerën e propozimit të tryezës së koalicionit tonë, që në Kodin Zgjedhor të sanksionohet numërimi elektronik si alternativë e parë dhe rinumërimi manual si opsion i hapur për çdo palë të interesuar për verifikime me sy. Kjo e sotmja është një provë, le ta quajmë me mjete rrethanore. Me një aparaturë që e gjetëm në Shqipëri, por teknologjia e fundit bashkëkohore ofron mundësinë e një numërimi transparent dhe edhe më të shpejtë dhe të largimit përfundimisht të duarve të partive politike nga kutitë dhe nga fletët e votimit. Kështu mund të arrijmë qysh në zgjedhjet e ardhshme, pa asnjë lloj pengese objektive, eliminimin e një prej hallkave më të ndryshkura të zinxhirit të korrupsionit elektoral, që është numërimi për të vjedhur votat e popullit jo për të zgjedhur drejtë përfaqësuesit e tij.
Jam besim plotë se ekipi ynë i reformës zgjedhore, nën drejtimin e Damian Gjiknurit dhe me mbështetjen e çmuar të tryezës së koalicionit dhe të ekspertëve të angazhuar në këtë proces, do të japë një kontribut të rëndësishëm në koalicionin parlamentar, me propozime konkrete të realizueshme dhe dobiprurëse për vendin dhe për të gjitha palët e zgjedhësve.
Ky vend s’mund të jetë më pengu i pamundësisë për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit e vet.
Ky vend s’mund të jetë më gazi i botës me zgjedhje pa standarde dhe me standardet e gojëtarisë së Saliut.
Ky vend s’mund të rrijë më mënjanë Europës se shkon nga vjedhja e zgjedhjeve në vjedhje të zgjedhjeve, ose siç thotë qeveria nga fitorja në fitore, ndërkohë që Shqipëria nga humbja e statusit të kandidatit në humbjen e statusit të kandidatit në BE. Europa është e qartë në gjuhën e saj. Kemi 12 prioritet për të plotësuar si vend. Pa u plotësuar s’kemi vend në paradhomën e saj dhe numërimin Europa e fillon nga zgjedhjet, duke vënë si kryefjalë të shqetësimit në këtë drejtim vjedhjen e zgjedhjeve në Tiranë, për të na thënë se që të marrim statusin duhet për së pari të garantojmë se zgjedhjet nuk vidhen më.
Saliu është i palëkundur në gjuhën e tij: “fajin e ka opozita që bllokoi ligjet me 3/5, opozita është problemi i vetëm që ka mbetur pa zgjidhur në këtë vend.” Shqipëria lulëzon mes arrave dhe rrushit të Saliut, që ka fituar marramendshëm votat e popullit. Ne jemi të troçtë në gjuhën tonë. Çfarë na takon për t’ju afruar Europës, nuk do ta kursejmë. Çfarë na duhet për t’i dhënë fund vjedhjeve në zgjedhje nuk do ta lëmë pa bërë. Çfarë na kërkohet për të rilindur Shqipërinë do ta përmbushim medoemos.
Programi i ri ka ngjallur një interes të jashtëzakonshëm, por është vetëm hapi i parë, jo fjala e fundit. Viti që hyn do të jetë viti i shtjellimit të programit përgjatë një rrugëtimi bashkë me shqiptarët, nëpër çdo stacion, të katër kapitujve të tij. Me një llogari të thjeshtë për të bërë bashkërisht nga ata që përmblodhën në një tekst sintetik programin bazë, na duhen të paktën 21 grupe pune të kësaj Asambleje, që do të përgatisin dokumente të veçantë dhe të detajuar, sipas temave specifike të programit, duke angazhuar ekspertë vendas dhe të huaj, përveç kapaciteteve tona të brendshme.
Përkatësisht unë propozoj për drejtimin e këtyre grupeve si më poshtë:
Për Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Eduard Shalsi
Për Punësimin Arbër Mazniku
Për Arsimin Ledi Shamku
Për Çështjet sociale Kosta Barjaba
Për Shërbimin Kombëtar Shëndetësor Klodjana Spahiu
Për Çështjen e Pronës Merita Qato
Për Politikat Fiskale Adriana Berberi
Për Energjinë Andis Harasani
Për Telekomunikacionin Ilir Zela
Për Infrastrukturën, Turizmin dhe Mjedisin Artan Lame
Për Rendin Publik Ilir Gjonin
Për Shtetin e së Drejtës Shega Ligori
Për Zhvillimin Rural Agron Dukën
Për Sipërmarrjen në fshat Petrit Agon
Për Autonominë Vendore Artan Shkëmbin
Për të Përndjekurit Keti Bazhdarin
Për Mediat Iris Luarasin
Për Menaxhimin e Kulturës Kiço Londo
Për Politikat Rinore Elisa Spiropalin
Për Sportin Fidel Yllin
Për Shërbimin Diplomatik Marko Bello
Por, le të jemi të hapur dhe realist. Për ta bërë Programin fitues në zgjedhje nuk mjafton përmbajtja e tij, sado e pasur. Duhet në radhë të parë rrezatimi i një besimi, që duhet të burojë nga mënyra jonë e të qenurit me njerëzit dhe me publikun në tërësi. Nga mënyra jonë e të sjellurit me ta dhe të folurit për ta. Nga mënyra jonë për të bashkëjetuar me njëri tjetrin me sytë e tyre dhe e të shikuarit të njëri tjetrit në sy. Për të vënë interesat e njerëzve mbi mëritë, hatërmbetjet apo mosmarrëveshjet tona të cilat sado të mundohemi t’i justifikojmë, nuk i ngremë dot në lartësinë e sfidës së përbashkët. Nuk i bëjmë dot çështje të njerëzve, që presin nga ne të merremi me çështje e tyre dhe të vendit të kërcënuar nga rrënimi demokratik, ekonomik dhe social. Nuk i kthejmë dot në energjinë pozitive, që i bëhet medoemos si drita e syve, njerëzve të rraskapitur dhe të përdhunuar të këtij vendi, e që duhet ta përçojmë ne si një fuqi e madhe njerëzore në radhë të parë dhe pastaj si një alternativë për pushtet.
Për ta bërë programin fitues, duhet ta bëjmë në radhë të parë atë axhendën tonë të përbashkët. Duke i bërë të gjitha axhendat personale pjesë të axhendës së përbashkët. Programin do ta mbushim me shpirtin e një familjeje politike që ngroh shpirtrat e shqiptarëve të sfilitur nga padrejtësitë dhe cinizmi i politikës së gënjeshtrave të mëdha dhe të llogarive të vogla. Këtë familje politike, familjen tonë politike, do ta bëjmë strehë të ngrohtë për këdo që është apo dëshiron të bëhet pjesë e saj. Hapësirën brenda nesh do jua mbushim me pasionin e politikës dhe me entuziazmin e qëllimit të përbashkët dhe të punojmë si një skuadër, të bashkëjetojmë si një familje, të debatojmë si të afërm dhe të merremi vesh si të rritur. Kjo nuk është një parti e vasalitetit, por e rivaliteteve. Ka qenë kështu, është kështu, duhet dhe do të jetë kështu në të gjitha nivelet. Nga rivalitetet për të drejtuar partinë, tek rivalitetet për të drejtuar një organizatë bazë, apo rivalitete për të qenë delegatë në Kongres, apo për të qenë në Asamble, apo për të qenë në Kryesi. Por problemi ynë nuk janë rivalitetet, problemi ynë është i të jetuarit keq të tyre. Të mësuarit keq nga to. Të bërit keq për shkak të tyre. Në të gjitha nivelet.
Ç’mund t’ju ofrojmë ne organizatave, ç’mund t’ju kërkojmë ne Asambleve vendore, nëse kjo Asamble, nëse Kryesia jonë nuk japin shembullin e të jetuarit mirë me rivalitetet. E të bërit mirë përmes rivaliteteve, madje e shërimit të zakoneve të këqija, falë rivaliteteve të shëndetshme. Më tutje, ç’mund t’ju kërkojmë ne qytetarëve që na ndjekin, na shohin e na dëgjojnë nëse përsëpari nuk u ngjallim besimin frymëzues se dimë të punojmë bashkë, pa rënë sistematikisht në kursin e fajësimit të njëri tjetrit. Dimë të zgjidhim bashkë probleme të vështira, madhore, marramendëse si ato që ka sot vendi, pa u mbytur duke parë veten, në një lugë uji. Dimë të qeverisim punët e tyre pa ngecur, si pa të keq, në qeverisjen e punëve tona të brendshme. Dhe tek e fundit si mund të fitojmë nëse nuk organizohemi si kurrë më parë dhe si mund të organizohemi si kurrë më parë nëse secili nuk bën punën e tij përpara se të merret me punën e tjetrit dhe nuk e kupton si rrallë më parë se puna e tij është me njerëzit dhe për njerëzit. Njerëzit e partisë që presin prej nesh këtu lart, nxitje, inkurajim, motivim, zëdhënie të halleve dhe të shpresave të tyre, shembuj për t’u ndjekur deri në fund, deri në ditën finale të një beteje të vështirë por plotësisht të mundur, të një beteje që duhet dhe do ta fitojmë të gjithë së bashku.
* Fjala e Kryetarit të PS sot në Asamblenë Kombëtare