English

Poshtë e më poshtë

Nga Albin Kurti

Qeveritarët kosovarë të prirë nga kryeministri Thaçi thonë që patën sukses me intervenimin në veri të Kosovës. Në fakt, kjo tregon se çfarë pritjesh e ambiciesh të vogla i kishin ata me rastin e intervenimit të 25 korrikut. Aksioni policor i asaj mbrëmjeje ishte shumë i rëndësishëm për vetë policët dhe qytetarët e Kosovës por jo edhe për Qeverinë e Kosovës. Gjendjen që pasoi ajo e konsideron rezultat shumë të suksesshëm!

Se çfarë gjendje kemi në veri të Kosovës po e shohim për çdo ditë. Strukturat ilegale, armiqësore dhe kriminale të Serbisë i kanë bllokuar të gjitha rrugët në veri përmes barrierave fizike. Ata që vranë policin Enver Zymberi dhe plagosën ose lënduan dhjetëra policë të tjerë, ata që i dogjën për së dyti pikat doganore 1 dhe 31, vazhdojnë të mbesin të paprekur nga ligji. Për pasojë, ata vazhdojnë të bëjnë krime e shkelje të panumërta të ligjeve të shtetit të Kosovës.

Ndërkohë, rreth 4.000 qytetarë shqiptarë që jetojnë në veri janë harruar nga Qeveria duke u lënë në pasiguri të skajshme. Meqë Qeveria u spraps nga veriu, atje tash ndodhet vetëm KFOR-i i cili rregullisht përballet në mënyrë të pasuksesshme me barrierat e strukturave të Serbisë. Është vështirë e besueshme që KFOR-i s’ia del dot me zhbllokimin e rrugëve në veri dhe po ashtu është vështirë e besueshme që KFOR-i nuk po e dërgon një mesazh të qartë nëpërmjet hezitimit të tij. Së pari, Kosova nuk është atdhe i asnjërit prej ushtarëve dhe eprorëve të KFOR-it dhe rrjedhimisht ata s’kanë motiv t’i kryejnë punët e shtetit tonë. KFOR-i përdor armët veçse në vetëmbrojtje të pjesëtarëve të tij dhe jo për interesat e shtetit të Kosovës që u shpall i pavarur këtu e gati katër vjet më parë. Dhe, së dyti, KFOR-i nuk e njeh pavarësinë dhe nuk e pranon republikën e shtetit tonë prandaj edhe gjithçka në Kosovë e rreth Kosovës e sheh me sy të tjerë prej nesh. Nuk mund ta bëjë Kosovën sovrane dhe me kufij të konsoliduar ndërshtetëror karshi Serbisë KFOR-i i cili Kosovës ia njeh kufijtë vetëm si administrativë kurse Qeverinë e Kosovës nuk e pranon si qeveri të një shteti të pavarur.

Për të qenë edhe më keq se kaq, Qeveria e Kosovës e ka lejuar vërshimin e sërishëm të Kosovës me mallra të Serbisë paçka se aksioni policor i 25 korrikut për të vendosur kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31 u pat ndërmarrë pikërisht si rezultat i vendimit të 20 korrikut për moslejimin e mallrave që vinin prej Serbisë. Në anën tjetër, kjo Qeveri i rri gatitu Serbisë për dialogun me të në Bruksel që nuk është interes i Kosovës por veçse nevojë e Serbisë për të avancuar në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Thjesht, Serbia e përcakton se kur duhet të zhvillohet ky dialog, kur duhet të ndërpritet ai dhe kur duhet të rifillojë sërish. Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga zëvendëskryeministrja Tahiri i është nënshtruar plotësisht diktatit të Serbisë për orarin dhe shpejtësinë e këtyre bisedimeve.

E, për të qenë madje edhe më keq se kaq, kryeministri Thaçi tash së fundi paralajmëroi gatishmërinë e tij për të biseduar me serbët e veriut. Pra, synimi është që të kemi dyfishim të bisedimeve ku Qeveria e Kosovës do të bashkëbisedojë me Serbinë në dy nivele, gjithnjë për çështje të brendshme të Kosovës. Edhe këto bisedime do të zhvilloheshin përsëri me Serbinë sepse pa shpërbërjen e strukturave të Serbisë në veri as që mund të shpresohet se bashkëbisedues të Qeverisë në veri do të jenë qytetarët e thjeshtë serbë dhe jo përfaqësuesit e Serbisë atje.

Gatishmëria e Thaçit për t’i dyfishuar bisedimet vjen menjëherë pas letrës së ministrit të jashtëm suedez Carl Bildt dërguar Baroneshës Ashton që tash të kalohet në dialog politik për veriun e Kosovës. Edhe njëherë, për kushedi të satën herë me radhë, kryeministri Thaçi e dëshmoi që e zbret poshtë pazarin për Kosovën në të cilin e ka futur ai vendin tonë në nivelin më të ultë që kërkohet prej ndonjë zyrtari ndërkombëtar. Pra, ai jo vetëm që e futi Kosovën në pazar për hir të ruajtjes së pushtetit të tij, jo vetëm që e zbret pastaj pazarin aty siç ia kërkojnë ‘miqtë’ e tij ndërkombëtarë, por ai e zbret këtë pazar në shkallën më të ultë sipas kërkesës përkatëse të ndonjë ndërkombëtari. Koncesionet e Thaçit për Kosovën ndjekin kërkesën ndërkombëtare për koncesionet më të mëdha.

Për t’ia lehtësuar, kompromiset Thaçit pa dyshim se kontribuoi edhe deputeti i LDK-së Lutfi Haziri me idenë e tij për shkëmbim territorial midis Kosovës e Serbisë nëpërmjet kthimit në kufijtë e vitit 1956. Së pari, Lutfi Haziri e përforcoi mënyrën e pazarit në politikë të cilën e ka aq shumë për qejf kryeministri Thaçi. Haziri propozon shkëmbim territoresh a thua se bëhet fjalë për mallra që janë në pronësi të vetë atij. Së dyti, ai e sjell vitin 1956 si vit të artë pa pasur fare njohuri të hollësishme për kufijtë e asaj kohe. Së treti, ai nuk e shpjegon se prej nga ky vit na paska legjitimitet sipëror kur dihet që ajo periudhë i përket situatës ku Kosova ishin nën robëri të dyfishtë – nën Jugosllavinë e Titos dhe nën Serbinë e Rankoviqit. Së katërti, ai kthehet në histori dhe duke u fiksuar në një vit atje e bën pikërisht eliminimin e historisë që paraqet përmbajtje të së drejtës së popullit. Historinë e okupimit, shtypjes dhe kolonizimit të Kosovës ai e shlyen me një vit në histori nën pretendimin se kufijtë e Kosovës që atëbotë s’njihej fare si entitet na paskan qenë ca më ndryshe. Së pesti, propozimi i këtillë për shkëmbim territorial pasi që u spraps Qeveria e Kosovës nga veriu ndërkohë që Kosovën Lindore e kontrollon Serbia i shërben vetëm heqjes dorë nga veriu dhe tëhuajësimit të shqiptarëve prej veriut të vendit.

Ideja e Carl Bildtit për bisedime politike për veriun dhe ajo e Lutfi Hazirit për shkëmbim territorial sigurisht që shkojnë bashkë. Mandej nuk do të ketë as ndarje e as shkëmbim, por ndarje të brendshme të Kosovës dhe mu në këtë pikë çojnë këto dy propozime porsa të kombinohen. Pas aksionit pa plan në veri, pas dorëzimit të pushtetit të Qeverisë te KFOR-i, tash aspirojnë ta forcojnë ndarjen faktike dhe ta legalizojnë atë, por pa e bërë ndarje e tillë të brendshme edhe përfundimtare, gjithnjë sipas 6 Pikëshit famëkeq të Ban Ki-Moon-it drejt bosnjëzimit të Kosovës.

Ndërkohë, kryeministri Thaçi aktron me demek është i hidhëruar për propozimin e Lutfi Hazirit. Në fakt, atij i leverdis propozimi i Hazirit prej se u spraps nga veriu i Kosovës me 26 korrik. Nëse ka siklet kryeministri Thaçi për propozimin e Hazirit kjo është vetëm për shkak se mos Haziri po e ul pazarit edhe ca më poshtë se ky për Kosovën dhe kësisoj bëhet edhe më joshës për ndërkombëtarët krahasuar me Thaçin. Kryeministri Thaçi për të qenë i sigurt se do të mbetet më lart se të gjithë të tjerët në pushtet, i duhet të kujdeset që do ta mbajë më së poshtë nga të gjithë të tjerët pazarin për Kosovën. E këtillë është vetja e tij në pushtet.

NOA

KOMENTE