Moskë, 2 dhjetor, NOA – Rusia nuk mund t’ua japë dot shtetësinë e saj serbëve të Kosovës. Ky është reagimi zyrtar i shtetit të madh të Azisë, kundrejt kërkesës së bërë para pak ditësh nga mijëra serbë të Kosovës për të marrë me çdo kusht shtetësinë ruse. Me pretekstin se ndihen të frikësuar dhe të pambrojtur në territorin e Kosovës, ata pretendojnë marrjen e shtetësisë ruse.
Por një gjë e tillë është kundërshtuar me shumë delikatesë nga ana e Moskës zyrtare, e cila ka deklaruar se gjithsesi, do t’u qëndrojë pranë atyre, duke i ndihmuar në forma të tjera. "Presidenti rus, Dmitri Medvedev, ka studiuar kërkesën e serbëve të Kosovës, për marrjen e shtetësisë ruse", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksandër Lukasheviç. Duke shtuar më tej se Medvedev kishte pohuar se Rusia do të dërgojë të gjitha llojet e ndihmave humanitare për serbët në Kosovën veriore dhe për të ndihmuar rindërtimin e vendeve të shenjta ortodokse serbe në këtë rajon, me anë të UNESCO-s.
"Kërkesa për shtetësi i është dorëzuar presidentit Dmitri Medvedev.
Por duke pasur parasysh faktin se një kërkesë e tillë nuk mund të përmbushet në përputhje me Ligjin për shtetësinë ruse, Medvedev ka urdhëruar një mbështetje të intensifikuar për serbët e Kosovës në forma të tjera", shpjegoi Lukasheviç. Më tej, ai tha se ishte e dukshme nga kërkesa e serbëve të Kosovës se "njerëzit atje janë në një situatë të vështirë dhe ndjehen të pashpresë", sepse ata ishin të detyruar të "respektojnë ashtuquajturën Republika e diktuar e Kosovës".
Lukasheviç përmendi faktin se tashmë aeroplani i parë nga Rusia për situatat emergjente, që transporton ndihma humanitare, tashmë është dërguar në Serbi, sikundër po përgatitet edhe një tjetër grumbull me ndihma humanitare, në përputhje me udhëzimet e Medvedevit.
n.e/NOA