English

Topi e Nano ngushëllojnë familjen e Leka Zogut

Tiranë, 2 dhjetor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi ka shkuar sot për të ngushëlluar familjarët e pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu.

Krahas tij, në familjen Zogu ka mbërritur për ngushëllim edhe lideri historik i Partisë Socialiste ish-Kryeministri Fatos Nano, i cili ka ndarë dhimbjen për ndarjen nga jeta të djalit të mbretit Ahmet Zog.

Leka Zogu gjeti vdekjen mëngjesin e së mërkurës në moshën 72-vjeçare. Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Leka i I-rë ishte shtruar prej afro dhjetë ditësh në Reanimacionin e Spitalit të Neurokirurgjisë, pas një përkeqësimi të shëndetit të tij në zemër dhe në rrugët e frymëmarrjes. Sipas mjekut të njohur neurokirurgut Mentor Petrela, trashëgimtari i fronit Leka i I-rë vuante nga probleme multisistemike.

Ndërkaq Kryeministri Berisha në nderim të pretendentit për fronin mbretëror shpalli ditën e nesërme, ditë zie.

Ceremonia e homazheve do të organizohet ditën e shtunë, nga ora 10.00 deri 12.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

a.y/NOA

KOMENTE