Shkup, 3 dhjetor 2011, NOA - Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha i ka nisur letra faleminderimi dy liderëve të partive politike shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmetit të BDI-së dhe Menduh Thaçit të PDSH-së lidhur me vizitën e tij të fundit në Maqedoni dhe takimet e realizuara.
“Dëshiroj t’ju falënderoj për takimin e ngrohtë dhe bisedën e përzemërt e vëllazërore që zhvilluam së bashku gjatë vizitës sime në Maqedoni, më 9 nëntor 2011. Kam konstatuar me kënaqësi hapat e rëndësishëm që keni bërë në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, miratimin e akteve legjislative për përdorimin e gjuhës e të simboleve kombëtare, të cilat, së bashku me rrëzimin e proceseve të pabaza ndaj luftëtarëve të UÇK-së, përbëjnë arritje të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni dhe mbarë kombin”, thuhet në letrën e Berishës drejtuar Ahmetit një ditë më parë nga kryeministri Berisha.
Në letrën drejtuar Thaçi, Berisha vlerëson dialogun konstruktiv të partive shqiptare në Maqedoni. “Siç ju thashë gjatë takimit tonë, jam shumë i lumtur që shqiptarët në Maqedoni dhe formacionet e tyre politike kanë dëshmuar, me dialogun konstruktiv e marrëveshjen parazgjedhore, vullnetin e palëkundur për konsolidimin e stabilitetit në vendin fqinjë, si dhe ecjen përpara me shpejtësi drejt projektit madhor të integrimit euroatlantik”, theksohet në letrën drejtuar Thaçit.
Berisha shton se Shqipëria është dhe mbetet përkrahëse e fuqishme e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe qeveria shqiptare tërësisht e angazhuar dhe po punon për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe për të eliminuar të gjitha barrierat në qarkullimin e lirë të qytetarëve, mallrave e shërbimeve ndërmjet të dyja vendeve, duke vendosur standarde të ngjashme me ato të BE-se, si interesi më i mirë i së ardhmes të të dyja vendeve tona dhe i projektit të përbashkët madhor të anëtarësimit në BE.
NOA/INA