English

Bulimia politike: Ambasadorët e Shtetit apo të Pushtetit?

Koalicioni qeverisës çdo ditë na jep arsye për të besuar se apetitet e tij për pushtet janë të pangopshme, si ato politike ashtu edhe ato materiale. Karakteri gllabërues i këtij koalicioni dha frytet e para me konsolidimin e qeverisë së re të vitit 2011. Kosova, shteti më i varfër në rajon, ka qeverinë më të madhe nga të gjitha vendet e rajonit – 19 ministra, 33 zëvendësministra dhe 6 zëvendëskryeministra...

Nga Puhie Demaku

... Pangopshmëria dhe çrregullimet në të ushqyer në mjekësi janë sëmundje të veçanta. Një nga to është bulimia, e cila përshkruhet si humbje e kontrollit mbi alimentacionin duke provokuar vjellje për të nxjerrë atë që e konsiderojmë të tepërt. Kështu bënë edhe qeveria, gëlltitë më shumë se sa që mundet të përballojë dhe në fund kur vlerëson se ka ardhur koha për gëlltitje të reja “i vjellë” rekrutimet pa pardon.

Bulimia politike që e ka kapluar Kosovën në këto vitet e fundit, tani ka përfshirë edhe organet diplomatike të shtetit. Pre e kësaj bulimie tani po bie edhe shërbimi diplomatik – ambasadorët. Ata që sipas funksionit do të duhej të ishin përfaqësuesit e shtetit, qeveria i do vetëm si servilë të pushtetit.

Emërimet e ambasadorëve të parë ishin karakterizuar me shumë peripeci. I njëjtë ishte edhe procesi i themelimit të ambasadave. Buxhet i kufizuar, përvojë e mangët në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë (si institucionale ashtu edhe individuale) e shumë sfida të tjera e përcollën 10-shen e parë të diplomacisë së Kosovës. U mbajtën trajnime e seminare për aftësimin e kuadrove dhe në fund ata u shpërndanë për ta përfaqësuar shtetin.

Ja që tani, në emër të konsolidimit të trupës diplomatike, Ministria e Punëve të jashtme, me “izë” të Kryeministrit e Presidencës, e nisë procesin e ndërrimit të diplomatëve. Ende pa u përmbushur afati kohor në detyrë kërkohet kthimi i tyre dhe zëvendësimi me ambasadorë të ri ngase na paska ardhur koha “sipas praktikave ndërkombëtare” për rotacion. Sikurse në administratën publike – të cilën raportet ndërkombëtare e cilësojnë si të politizuar – e ku ndodhin rregullisht “rotacione” me ardhjen e një qeverie të re, ashtu synohet të ndodhë edhe me shërbimin diplomatik.

Ambasadorët po zëvendësohen jo pse e kanë shkelur ligjin dhe duhet të tërhiqen, jo pse ata nuk kanë performuar si duhet (pasi që nuk kanë pasur as plan pune në bazë të cilit do të zhvillonin aktivitetet e kundrejt të cilit do të mateshin sukseset e dështimet), jo pse tërheqjen e tyre e ka kërkuar shteti pranues, e as pse atyre u ka skaduar afati i qëndrimit në mision, por vetëm e vetëm sepse qeveria ka etje e uri për të rekrutuar servilë të ri.

Së fundmi, Presidentja thotë se nuk është e përfshirë në emërimin e ambasadorëve të rinj dhe as në shkarkimin e tyre apo ndërrimin e vendeve të ambasadorëve aktualë. Ndërkohë, nota sqaruese e shkruar nga Zv. Ministri i MPJ-së, Ibrahim Gashi, thotë: “Duke e vlerësuar lartë punën dhe devocionin Tuaj, më lejoni të ju njoftojë se me propozimin e Kryeministrit dhe të Presidentes së Republikës së Kosovës Ministria e Punëve të Jashtme ka përgatitur, konform kornizës ligjore në fuqi, propozimet për disa emërime të ambasadorëve.”

Dy gjëra dalin në pah nga këto dy fakte: e para se Ministria e Punëve të Jashtme është e vetëdijshme për shkeljet ligjore dhe dëshiron të gjejë bashkëfajtorë në proces, dhe, e dyta, që (nëse qëndron deklarata e Presidentes) ekziston një moskomunikim shqetësues në mes të institucioneve të Kosovës.

Por, cili është funksioni i ambasadorëve në përgjithësi? Çfarë bëjnë ambasadorët tanë? Në kushte normale detyra e një ambasadori konsiston te një aktivitet shumë i rëndësishëm që në diplomaci quhet “negociim”. Duket se në këtë rast pikërisht fjalori etimologjik na e zbulon të vërtetën: fjala “negotiari” në latinisht do të thotë “të bësh biznes”. E natyrisht që duhet ndërruar ambasadorët sepse në emër të kujt do të bëjnë biznes ata kur nuk e përfaqësojnë interesin e pushtetit por vetëm atë të shtetit.

Ambasadorët e shtetit duan t’i kthejnë “në shtëpi”. Mirëpo, si diplomatë të karrierës ata nuk mund të bredhin rrugëve, për ta përkujdeset edhe shteti edhe pushteti. Prandaj, ata bëhen pjesë e administratës publike ku përvojën e tyre 2 vjeçare e vënë në funksion të shtetit meqë nuk i nevojiten pushtetit. Dhe, me këtë lloj praktike, kur të ndërrohet pushteti, del se nuk i duhen as shtetit, dhe flaken tutje si “e vjellur bulimike politike”. Kështu ndërtohet shërbimi diplomatik i Republikës së Kosovës?

Një ministri, siç është Ministria e Punëve të Jashtme, e cila operon me strategji e plane pune të vitit 2008, pa përditësuar as edhe një shkronjë në të shkruar e lëne më qasje apo në të vepruar, nuk pritet t’i sjellë Kosovës avancime në pozitën e saj në politikën e jashtme e aq më pak ta konsolidojë një nga celulat bazë të kësaj sfere – shërbimin diplomatik.

Një Kryeministër e një Presidente të humbur në hapësirë në mes të prerjeve të shiritave e deklaratave të integrimit që për shërbimin diplomatik duan t’ia dinë vetëm kur janë në vizita jashtë vendit dhe u nevojitet një “agjencion logjistik”, ose kur familjarët, miqtë dhe këshilltarët kërkojnë punësim, e që ligjet i shpërfillin për t’i kryer këto favore, nuk janë shenjë e mirë e së ardhmes politike të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Këta bashkë, duke organizuar konferenca me emra të blertë në mes të asfaltit e mermerit, punët e jashtme të Kosovës pretendojnë t’i kryejnë nga brenda. Sepse jashtë nuk kanë vend për ta, e brenda ka vend për të gjithë – edhe për ata që nuk na lënë të gjallë as brenda e as jashtë.

* Dërguar nga autorja, anëtare e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!

KOMENTE