Tiranë, 3 Dhjetor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj - Bosi francez i Carrefour në Shqipëri Xavier Thibonnet u gjet i vdekur sot në shtëpinë e tij në Tiranë. Alma Katragjini, zëdhënëse e Policis së Tiranës e konfirmoi zyrtarisht lajmin.
"Z. Thibonnet u gjet i varur dhe sipas rezultateve paraprake të hetimit ai kreu vetëvrasje por grupet hetimore policore janë atje për të bërë të gjitha kontrollet e mundshme në lidhje me incidentin," tha Alma Katragjini.
Sakaq burime nga hetimi treguan për agjencinë e lajmeve NOA.al dinamikën e ngjarjes. Mbrëmjen e djeshme, i ndjeri Xavier Thibonnet ka shkuar në shtëpinë e marrë me qera ku jetonte i vetëm dhe nuk ka dalë më që andej.
Sot në mëngjes, punonjësit e prisnin Xavier Thibonnet të vinte në hipermarket por ai edhe pse kishte kaluar ora 10.00 nuk kishte ardhur. Ata e kanë telefonuar disa herë por ai nuk është përgjigjur.
Punonjësit kanë kërkuar ndihmën e policisë që të verifikojë nëse Xavier Thibonnet kishte ndonjë shqetësim dhe kërkuan që të shkohej te banesa e tij. Kur policia dhe punonjës të hipermarketit shkuan në banesë, kanë gjetur Xavier Thibonnet të pajetë.
Policia konfirmoi se ai u gjet i varur në litar në dhomën e gjumit.
"Vetëvrasje e lidhur me një situatë personale" Në Paris Grupi Carrefour, konfirmoi vdekjen e drejtorit të hipermarketit të sapohapur në Tiranë tek qendra tregtare TEG. "Kjo vdekje shumë e dhimbshme është e lidhur me një situatë personale e z. Thibonnet," tha zëdhënësi i Carrefour.
Thibonnet Xavier, 42 vjeç kishte marrë me qira një apartament një muaj më parë në Tiranë, te rruga “Pjetër Budi”, disa javë pasi ai kishte ardhur në kuadrin e hapjes së dyqanit të parë Carrefour në Shqipëri.
Hipermarketi me sipërfaqe 6.500 m² u përurua në 26 nëntor në Tiranë dhe ështëi pari në Shqipëri. bëhet fjalë për një ndërmarrje të përbashkët e cila është e kontrolluar 60% nga rrjeti i supermarketeve greke Marinopoulos dhe 40% nga Carrefour Marinopoulos (grup i kontrolluar nga grupi grek Marinopoulos dhe Carrefour).
e.t/NOA