Hani i Elezit, 3 Dhjetor 2011 NOA – Patrullat kufitare janë vënë nën alarm orët e fundit pasi disa mjete shpërthyese janë gjetur në kufirin mes Republikës së Kosovës dhe Republikës ish Jugosllave të Maqedonisë.
Korrespondenti i agjencisë NOA.al raporton se zbulimi i bombave dhe minave në gjendje aktive është bërë nga njësia patrulluese kufitare në fshatin Dremjak - Hani i Elezit.
“Ne morëm informacionin e raportuar se njësi patrulluese kufitare në kufirin e Republikës se Kosovës me Republikën e Maqedonisë kanë hasur në disa shpërthyese. Menjëherë njësitet tona policore kanë siguruar vendin e ngjarjes duke e rrethuar zonën që të mos lejohet kalimi nga asnjë person civil, për të shmangur incidente fatale”., - i thanë agjencisë së lajmeve NOA.al, burime zyrtare nga Policia e Kosovës.
Sakaq bëhet e ditur se njësitet për deminim të FSK-së dhe KFOR-it kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bëhet e ditur se pasi kanë bërë shikimin e vendit janë larguar nga ai lokacion për te dalë përsëri për veprime te mëtutjeshme në orët në vijim.
a.b/NOA