Tiranë, 3 dhjetor 2011, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste Andis Harasani ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i dhënë dje nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Në një njoftim të shkurtër në rrjetin social, “Facebook”, Harasani shkruan se për shkak të planeve të tjera që ka, nuk mund të pranojë detyrën në PS.
“Të dashur miq, për arsye të planeve të tjera, duke falënderuar për besimin nuk mund ta pranoj detyrën e ofruar nga ana e Asamblesë së PS. I uroj suksese të gjithë të votuarve”, shkruan Harasani në adresën e tij personale në rrjetin social.
Deputeti Harasani u caktua dje nga kreu i PS-së, Edi Rama në Grupin e Punës për Energjinë, bashkë me 20 deputetë dhe përfaqësues të PS-së në grupet e tjera. Ndërkohë që për më shumë se 4 vite, Harasani ka qenë pjesë e Kryesisë së PS-së në Sekretariatin e saj dhe konkretisht Sekretar për Programin. Në këtë detyrë dje u zgjodh ish-deputeti Ilir Beqja.
a.k/NOA