Leka Zogu II betohet si Mbret i ri i Shqiptarëve, nis luftë e re për monarki (VIDEO)
SHËNIM REDAKSIONAL
Tiranë, 3 dhjetor 2011 NOA – Leka Zogu i Dytë, djali i të birit të Ahmet Zogut, në ceremoninë mortore të babai të tij të ndjerë, u betua publikisht para arkivolit se ai do të ndiqte rrugën mbretërore të të atit dhe gjyshit të tij.
Kjo deklaratë u cilësua si vetëshpallje dhe betim solemn i Leka Zogu II si Mbret i Shqiptarëve ashtu si dikur kishte bërë dhe i ati, vetëm se ky i fundit, në mërgim.
Por deklarata e sotme e Leka Zogut II, shihet nga analistët si një epokë e re e luftës së bërë nga familja Zogu për të shndërruar Shqipërinë në Monarki.
Duke u kthyer pas në kohë, kujtojmë shekullin e kaluar kur Ahmet Zogu e bëri këtë, mes një vale trazirash që e ndiqte pas aq shumë sa u dënua nga gjykata dhe me vdekje në mungesë.
Më 7 prill 1939, dy ditë pasi lindi i ndjeri që u varros sot, Ahmet Zogu me gruan dhe djalin si dhe shpurën e tij, bashkë me të mira materiale dhe të holla, mediat raportuan atëherë se u përla ari i shqiptarëve, u larguan nga vendi, pikërisht në ditën kur u pushtua nga fashistët italianë.
Leka Zogu I jetoi në mërgim duke shëtitur botën dhe në vitin 1993 erdhi për herë të parë në Shqipëri pasi ishte larguar motak 48 orësh.
Ai nuk u lejua të qëndrojë në tokën shqiptare pasi mbante një pasaportë mbretërore që nuk njihet nga Republika e Shqipërisë. Për më tepër me vete kishte dhe një mori armësh zjarri. Autoritetet e dëbuan, në atë kohë president ishte Sali Berisha, kryeministri i sotëm.
Në vitin 1997 Leka Zogu i vjen sërish në Shqipëri. Këtë radhë qeveria e mbështetur nga Berisha, i cili u bë president për herë të dytë, me një mandat që e mori në gjendje të jashtëzakonshme dhe e la pas disa muajsh, e priti me nderime. Madje pranoi edhe që të bëhej një referendum popullor që të vendoste nëse do të riktheheshim si monarki apo do të vazhdonim si republikë.
Referendumi i zhvilluar bashkë me zgjedhjet parlamentare të 29 qershorit 1997 në fakt ishte një paradoks. Shqiptarët po votonin për deputetët e rinj të Parlamentit të Republikës e njëherësh duhet të jepnin votën dhe për të zgjedhur mes monarkisë dhe republikës. Sido që të votonte çdo shqiptar, pro ose kundër monarkisë, faktikisht ai votonte kundër tërësisht, përderisa bënte zgjedhjen për deputetët e parlamentit të Republikës.
Gjithsesi referendumi u bë dhe zyrtarisht KQZ shpalli se monarkia fitoi 20 për qind.
Kjo shifër nuk i pëlqeu Leka Zogut të Parë dhe ai e ankimoi. Gjykata ndonëse e çoi në 37 për qind shifrën në favor të monarkisë, e rrëzoi dhe referendumi u konsiderua dështim.
Por para se ta çonte në gjykatë ankesën e tij, Leka Zogu bëri një akt që shumë njerëz e konsideruan si pushtim me dhunë dhe kryengritje të armatosur ndaj institucionit shtetëror. I armatosur me armë zjarri dhe me veshje ushtarake ai i priu një turme që u vërsul tek Pallati i Kongreseve ku ndodhet selia e KQZ.
Në foto: Pema gjenealogjike e familjes mbreterore shqiptare
Në një gjakderdhje që pasoi, gjeti vdekjen një person.
Fill pas kësaj ngjarjeje, Leka Zogu i u largua nga Shqipëria.
Gjykata atëherë nisi një procedim penal dhe akuzat u drejtuan ndaj Leka Zogut i etj., por dënime nuk u raportua të jepeshim më tej.
Disa vjet më vonë Leka Zogu I dhe i biri Leka Zogu II rikthehen në Shqipëri për të mos u larguar më.
I ndjeri që u varros sot, arriti të marrë disa prona që këmbëngulte se ishin të tijat.
Ai bëri një jetë të tërhequr nga politika dhe ndërroi jetë 72 vjeç.
Tani, kartat janë hapur sërish. Leka Zogu II shpalli se do të punojë fort në rrugën e gjyshit të tij Ahmet Zogu dhe të atit, që jetën ia kushtuan përpjekjeve për të shtënë në dorë dhe për të mbajtur monarki në Shqipëri.
Por a do të ketë shanse për Leka Zogun II. Këtu futet në “lojë” karta “Berisha”.
Jo më larg se dy ditë më parë, kryeministri në mënyrë të përsëritur brenda 48 orësh, tha se monarkia konsiderohet si një çështje jo e mbyllur. Madje ai tha se referendumi dhe rezultatet e tij ishin manipuluar nga të majtët. Një afrim i shpejtë i zgjedhjeve të reja, dhe shikimi i situatës së vitit 2013, mund të jetë karta në dorën e Berishës, për të mos ia lënë pushtetin të majtëve që pretendojnë të marrin frenat e shtetit shqiptar.
Berisha mund të ketë në dorë çelësin e ndërrimit të regjimit në Shqipëri, duke shpallur ndoshta një tjetër referendum më së pari në vitin 2013 e më së shumti në kohët në vazhdim në rast se do të jetë kryeministër edhe për një mandat të tretë.
Deh shanset për monarkinë nuk janë të vogla. Ende sot shumë shqiptarë besojnë se periudha mbretërore ishte më e mira për Shqipërinë dhe fakti që në referendumin e kaluar zhvilluar pa ndonjë fushatë shumë ndikuese dhe për më tepër në vitin e frikshëm 1997, monarkia arriti të kapë zyrtarisht 37 për qind, bën të mendosh se Leka Zogu II ndoshta do të jetë i treti i vërteti i familjes mbretërore zoriste.
Dhe nëse Zogu i Parë ishte mbret për pak vite e i dyti asnjë ditë të vetme, i treti duket t’i ketë shanset shumë më tepër se paraardhësit e tij. E sidomos në këtë kohë kur Evropa po përballet me një krizë tejet shqetësuese financiare dhe politike, por vetëm në vendet republikane. Duke mos prekur aspak shtete si Austria, Holanda, Norvegjia, Anglia, e për të shkuar dhe në botën arabe ku mbretëritë po lulëzojnë në mënyrë stabël dhe pa shumë telashe.
Redaksionale NOA