Tiranë, 3 dhjetor 2011, NOA – Konfindustria kundërshton kërkesën e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët, biznese/industri, duke informuar se kjo do të ketë pasoja të paparashikueshme të rënda mbi prodhimin vendas dhe investimet e huaja, duke ulur forcën e konkurueshmërisë së industrive vendase, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në një deklaratë për shtyp, Drejtori i Përgjithshëm i Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku vlerëson, se rritja e çmimit të energjisë elektrike në kushtet e krizës globale dhe gjendjes së vështirë të ekonomisë europiane dhe rajonale, është me pasoja të paparashikueshme të rënda për prodhimin vendor, ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe afrimin e investimeve të huaja.
“Arsyeja është, se si pasojë e rritjes së kostove do të ulet më tej forca e konkurueshmërisë së industrive vendore përballë të prodhimeve dhe shërbimeve të ngjashmeve të importit. Mbështetur në vlerësimet e Konfindustrisë çmimi i energjisë elektrike edhe në kushtet e sotme është të paktën 15% më i shtrenjtë sesa mesatarja e vendeve të Europës Juglindore përfshi edhe vende të zhvilluara të BE”, sqaron Buxhuku.
Konfindustria nënvizon se ERE duhet të kërkojë nga furnizuesit të rrisin cilësinë e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve.
Sipas studimit të Konfindustrisë vetëm në 10 muajt e parë të vitit 2010 dëmet e shkaktuara si pasojë e cilësisë së dobët të furnizimit, ndërprerjeve dhe dëmtimeve të makinerive, lëndëve të para, industrive vendase u janë shkaktuar më shumë se 23 milion euro dëm.
mit/NOA