Tiranë, 3 dhjetor 2011, NOA- I “urti” i politikës shqiptare, ashtu si e kanë konsideruar shumë personalitete të vendit Sabri Godon, tashmë nuk do jetë më në mesin tonë.
Kush e njihte, e dinte që fjalët e tij ishin të arta, kishin peshë dhe arrinin të zgjidhnin probleme dhe të orientonin politikanët e rinj... e shumë të tjerë pikërisht prej dhuntive të tij i drejtoheshin për ti kërkuar mendim.
Fatkeqësisht 82 vjeçari nuk mundi të përballonte sëmundjen e rëndë që e kishte prekur prej disa kohësh dhe që e kishte bërë të lëngonte në shtrat, bën me dije agjencia e lajmeve NOA.al.
Më 22 nëntor Sabri Godo u shtrua në reanimacionin e spitalit të Mushkërive, në Sauk të Tiranës.
Sipas mjekëve, Godo vuante nga likidi pleural (ujë në mushkëri). Politikani 82 vjeçar gjatë qëndrimit në spital krahas mjekëve u kujdeset edhe nga vajza e tij, Anila Godo, ish ministre e shëndetësisë.
Pas trajtimit në terapi intensive ai ka marrë mjekime në pavion, ndërsa vetëm pak ditë më parë ka lënë spitalin, pasi mësohet se kishte shprehur dëshirën që çastet e fundit të jetës ti kalonte në ambientet e shtëpisë së tij.
Kush ishte Sabri Godo
Sabri Godo është i njohur si politikan, shkrimtar dhe skenarist shqiptar. Lindi në qytetin e Delvinës më 8 gusht të viti 1929. Shkollën e fillore e kreu po në këtë qytet dhe më pas shkollën e mesme e vazhdoi në Tiranë.
Por Godo e la gjimnazin në mes në vitin e tretë, ku mori pjesë në luftën antifashiste nacionalçlirimtare nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga Jugosllavia.
Sabri Godos iu desh të largohej nga Shqipëria së bashku me nënën e tij sepse përndiqej politikisht. Ka patur veprimtari të dendur në publicistikë, veçanërisht në revistën "Hosteni", ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime.
Në janar të vitit 1991 i ndjeri Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet.
Aktualisht 82 vjeçari mbante postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Politikani Godo ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.
Veprat e tij:
Plaku i Butkës", Roman historik (1966);
Ali Pashë Tepelena, roman 1970
Zëra nga burime të nxehta, tregime (1972);
"Intendenti", tregim (1973);
"Skënderbeu (1975)
"Prova e zjarrit", roman (1977);
"Kohët që shkojnë, kohët që vijnë", reportazhe (1985);
"Ujërat e qeta", roman, (1988);
"Koha e njeriut", roman (1990).
"Udhëtari", roman (2009)
Skenarët
Dritat e qytezës (1983)
Intendenti (1980)
a.y/NOA