Tiranë 3 dhjetor 2011, NOA – Sot në orën 10:00 do të nisin homazhet shtetërore për ceremoninë e varrimit të pretendentit Mbretëror Leka Zogu I. Zyrtarë të larë të qeverisë, familjarë, qytetarë të ndryshëm, por edhe personalitete të huaja, si anëtarë të familjes Mbretërore italiane Savoja do të marrin pjesë në ceremoni.
Në ceremoni do të jenë dhe përfaqësues të familjes së mbretëreshës Geraldinë si dhe shumë personalitete shqiptare. Gjithashtu do të jetë e pranishme dhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
Leka Zogu i Parë, u nda nga jeta më 30 nëntor pas vuajtjeve multisistemike, ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe e mushkërive.
Policia ka marrë masat për kontrollin e trafikut. Nga ora 08.00 deri në orën 13.00 trafiku në qendër të Tiranës do të jetë i ndaluar nga policia. Konkretisht në segmentin rrugor përgjatë rrugës Xhorxh W. Bush nga sheshi “Sulejman Pasha” deri te Bulevardi “Zhan D’Ark”, e Ura e Rrugës se Elbasanit.
Itinerari që kortezhi mortor për përcjelljen në banesën e fundit të pretendentit të Fronit Mbretëror, Leka Zogu I do të nisë nga godina e Kuvendit të Shqipërisë, ku do të mbahen homazhet nga ora 10:00 deri në orën 12:00, për të vazhduar më pas Bulevardi – Zhan D’Ark, – Bulevardi Dëshmoret e Kombit” – Sheshi “Skënderbej” – Rruga e Kavajës – Varrezat e Sharrës.
a.k/NOA